Rajoni

Kosova dhe Bosnja sot firmosin marrëveshjen e lëvizjes së lirë!

Në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, sot pritet të votohet marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pas hyrjes në fuqi, ky akord do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova e Bosnja. Mbi dy javë më parë ishte qeveria e Albin Kurtit që e miratoi dhe tani pritet ratifikimi nga deputetët.

E njëjta rrugë duhet të ndiqet edhe në Bosnjë. Pra, nëse merr dritën e gjelbër të Këshillit të Ministrave, fjalën e fundit sa i përket miratimit ose jo përfundimtar e ka Parlamenti i Bosnjë-Hercegovinës.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është njëra prej tre të tillave, për të cilat u arrit dakordësi nëntorin e kaluar në Berlin. Më 3 nëntor 2022, liderët nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruan tre marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare e të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, mikpritës i të cilit ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Marrëveshjet e nënshkruara nga liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas gati dy vjet negociatash, fillimisht duhet të ratifikohen, para se të hyjnë në fuqi.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale përfitojnë mjekë, dentistë e arkitektë. Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë origjinë nga Bosnja. Në mënyrë të vazhdueshme, mediat sjellin në vëmendje rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thonë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi për ta kjo do të nënkuptonte të ashtuquajturin “fund i agonisë”.

Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në vendet përkatëse. Në vitin 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës.