Rajoni

Kosova thirrje BE-së: Na hiqni masat ndëshkuese!

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje të hënën Bashkimit Evropian (BE) që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj saj, duke thënë se e ka përmbushur tashmë detyrimin e kërkuar nga blloku për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që përfundimisht të largohen masat e vendosura ndaj vendit tonë.

Qeveria Kurti thotë se Kosova ka përmbushur obligimin duke realizuar votimet në veri, prandaj masat e padrejta duhet larguar.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagim.

Qeveria thekson se në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Tutje, shton se “procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë”.

“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj iniciuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.

“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”.

“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”, thuhet mes tjerash në reagim.

Ndryshe, procesi i votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri që u mbajt të dielën më 21 prill, po shihet si një proces i dështuar.

E gjithë kjo për shkak të pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në votim në këto komuna. Serbët lokal të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, bojkotuan procesin e djeshëm të votimit, pas thirrjeve që bëri ditë më parë Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.

Asokohe, serbët lokalë protestuan kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.