Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) propozon tri alternativa për transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa.
Eshtë esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok. Rregullorja e BQK-së ndikon edhe në transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, si dhe për të mundësuar transaksionet ku përfshihet dinari serb.
Alternativa e parë do të mund të ishte që të shfrytëzohen institucionet e transferit të parave që të transferohen fondet mes Kosovës dhe Serbisë, por një opsion i tillë mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët.
Alternativa e dytë parasheh hapjen e një llogarie bankare nga qeveria në Serbi, të dedikuar për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë ndërlikimet e mundshme logjistike.
Alternativa e tretë parasheh transferta direkte të fondeve nga ndonjë bankë e Serbisë në ndonjë bankë të caktuar në Kosovë dhe më pas fondet do të shpërndaheshin në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion do të thjeshtonte procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative.
Në të gjitha alternativat është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë.
Në rregulloren për operacionet me para, të miratuar nga BQK-ja, thuhet:
Institucionet e licencuara për operim në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave. Dogana dhe Policia e Kosovës janë autoritetet përgjegjëse që sigurohen që importi apo eksporti ndërkufitar i euros apo valutave të tjera nga dhe për në Kosovë mund të lejohet vetëm përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga BQK-ja.
Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe tranzitore, jo më të gjatë se tre muaj. Në ditët e fundit, autoritetet në Serbi kanë deklaruar se në dy raste, Bankës Popullore të Serbisë nuk i është mundësuar që të transportojë dinarë në një kasafortë që ka në Leposaviç, një prej katër komunave në veri e që janë të banuara me shumicë serbe.
Përmes një sistemi paralel, Serbia u paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera. Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi duke argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake e pa informimin e duhur të qytetarëve.