Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama në Forumin e Bratisllavës: Ushtria serbe në kufi të Kosovës, zero fuqi!

Në Forumin e Sigurisë Globale në Bratisllavë të Sllovakisë po marrin vëmendje zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ku serbët protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Mes liderëve të pranishëm, kryeministri Edi Rama komentoi vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, duke e quajtur “shfaqjen më të pabesueshme të politikës së brendshme”.

Në panelin e diskutimit mbi Ballkanin: “Open Roads: Balkans Back in Business”, Rama tha se ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero.

Eshtë njësoj sikur ushtria meksikane të shfaqej në kufi me SHBA-të, çfarë do të bëhej? Çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asnjë gjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë lidhje me politikën e brendshme dhe me ato që ndodhin në kufirin me Kosovën.

Kryeministri kujtoi se 10 apo 20 vite më parë, situata mes dy vendeve ishte në gjendje shumë të vështirë.

Le t’i marrim gjërat në perspektivë. Për fat të keq, para se të vijë vera kemi gjithmonë problem në pjesën veriore të Kosovës. Nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse Kosova me Serbinë nuk kanë det dhe kokat nxehen. Por, ku ishim 20 apo 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë.

Sipas shefit të qeverisë, sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e vet më të mirë.

Edhe midis Kosovës e Serbisë, gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg mbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojnë se kjo do të realizohet dhe nuk do të duhet më ta luftojnë njëra-tjetrën. Ndoshta kjo shkon kundër inercisë së tyre, të nevojës për të luftuar. Kjo është perspektiva. Eshtë më mirë se çdo kohë!

Kryeministri u shpreh se konflikti në veriun e Kosovës ka një arsye, e cila mund të ishte shmangur krejtësisht.

Në këndvështrimin tim, nuk është tregues i problemeve konkrete. Ka kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar e ndihen të papërfaqësuar, por thelbi është që ka një marrëveshje që duhet përmbyllur, njohja reciproke që është diçka e jashtëzakonshme dhe hezitimi për të arritur këtë marrëveshje prodhon këto situata.