Bota

Kurrë kaq shumë shi në Dubai/Probleme në aeroport!

Në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) u regjistrua sasia më e lartë e reshjeve të shiut në 75 vitet e fundit. Qendra Kombëtare Meteorologjike bëri një deklaratë lidhur me reshjet e dendura që vazhdojnë në rajone të ndryshme të vendit dhe të cilat shkaktuan shtyrjen e fluturimeve dhe kalimin në metodën e arsimit dhe punës në distancë. Në një deklaratë thuhet:

Në rajone të ndryshme, gjatë 24 orëve të fundit u shënua sasia më e lartë e reshjeve në historinë moderne. Që nga viti 1949, kur kanë filluar të mblidhen të dhënat klimatike, është shënuar sasia më e lartë.

Po ashtu, bëhet e ditur se sasia më e madhe e reshjeve është shënuar në rajonin Khatm Al-Shikla të qytetit Al Ain, duke arritur në 254,8 milimetra shi në një periudhë më pak se 24 orëshe. Por, pritet të rritet sasia e reshjeve, në atë që po komentohet si një “ngjarje e jashtëzakonshme” në historinë e vendit.

Pamjet e rrugëve e të aeroporteve të pëmbytura po bëjnë xhiron e rrjetit. Në një deklaratë kompania ajrore “Etihad” njoftoi se parashikohen vonesa në fluturime për shkak të motit të keq në kryeqytetin Abu Dabi. Turistët janë përballur me surpriza të pakëndshme.

Institucioni i Çështjeve Islame të Emirateve të Bashkuara Arabe bëri thirrje për faljen e namazit në shtëpi, në zonat e prekura nga reshjet. Ndërkaq, Komiteti Kombëtar i Emergjencave, Krizave dhe Menaxhimit të Katastrofave të EBA-së u bëri thirrje qytetarëve të “mos dalin nga shtëpitë nëse nuk është e nevojshme” në rajonet ku reshjet janë efektive.

Kujtojmë se shirat nisën të hënën në mbrëmje e vazhduan intensivisht një ditë më parë, me më shumë se 142 milimetra në 24 orë kur mesatarja vjetore rezulton të jetë 94.7. Aeroporti ndërkombëtar i Dubait është ndër më të të ngarkuarit në nivel botëror.