Rajoni

Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive!

Britanikes “Guardian”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha se dita e hënë ishte shumë e rëndë dhe se janë me fat që nuk pati asnjë jetë të humbur. Kurti iu referua përleshjeve të serbëve me ushtarët e KFOR-it në Zveçan, ndërsa serbët kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë në komunat e veriut ku përbëjnë shumicën, përfshirë Zveçanin.

Lidhur me dhunën në veri, Kurti fajëson ato që i quan “banda fashiste” të drejtuara nga Beogradi zyrtar. Dhuna është dënuar nga NATO dhe faktori ndërkombëtar, ndërsa qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar të ndërmarrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

Pesë ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri u mor “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara e partnerëve europianë, duke “përshkallëzuar tensionet, pa qenë nevoja”.

Kurti nuk është i kënaqur me këtë deklaratë:

Mendoj se jo vetëm është e padrejtë, e gabuar e lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive. Ndoshta këtë gjë, sekretari Blinken do ta sqarojë më shumë një ditë tjetër, por përfundimisht nuk ishte e dobishme.

Kurti foli me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe shtoi se autoriteteve të Kosovës, Escobar iu kërkoi t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera apo dhe të punojnë nga shtëpia, kërkesë që ai e refuzoi.

Nuk mund të kemi kryetarë në Zoom, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste!

Dje, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri, ndaj erdhi pasoja e parë: stërvitjet Defender Europe 2023 morën fund për të.

Opozita reagoi duke bërë Kurtin fajtor për tensionet me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i bënë thirrje kryeministrit të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen e të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

Kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë. Drejtusit e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviç ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën nëntorin e kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të qeverisë për riregjistrimin e makinave në targa RKS, Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.