Aktualitet Rajoni

Kurti: Ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën! Erdhën për të na provokuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën, pasi “erdhi për të na provokuar” të enjten.

“Nuk është normale që ato automjete ushtarake të mbërrijnë vetëm pak metra larg kufirit. Jam i kënaqur që nuk janë sot, nuk kanë qenë deri në orën 16.00”, tha Kurti duke folur në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai tha se autoritetet kosovare e regjistruan lëvizjen e tyre përgjatë kufirit kosovar, por “ne nuk bëmë asgjë”.

“Ne ishim të kujdesshëm, shikonim nëse do të kalonin kufirin, por ata nuk e kaluan kufirin”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më herët të enjten tha se njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës.

Kurti publikoi në Facebook, një video përmes së cilës pretendonte se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Edhe pse njoftoi se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti tha se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal. Kurti tha se Forcat e Armatosura të Serbisë po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me veriun e Kosovës, sipas tij me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime.

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se ‘Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar’. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkroi Kurti.

Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.

Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.