Aktualitet Politikë

Kush është Bajram Begaj, kandidati për President të 8 të Republikës?

Votohet nesër si Presidenti i 8 i Republikës, kush është Bajram Begaj! Aktualisht shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë
Shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë e mban këtë detyrë prej vitit 2020. Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Ai është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ka mbajtur dhe poste drejtuese si zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” apo drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak. Ai ka pasur edhe detyra kyçe në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe është baba id y fëmijëve të rritur.

CV-ja e plotë:

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.