Celebrities Showbiz

Kush është djali që rrëzoi nga ‘froni’ Chiara Ferragni-n?!

Khaby Lame-n vështirë se mund të mos e keni vënë re në rrjete sociale, pasi ai është bërë kudo viral me videot e tij ironike. Brenda pak muajsh ai është bërë një nga njerëzit më të njohur në internet dhe sot, ka më shumë ndjekës se blogerja e njohur Chiara Ferragni.

Khaby Lame është vetëm një djalosh 21-vjeçar nga Senegali. Kur ishte 1 vjeç, familja e tij u transferua në Itali, në qytetin Chivasso, ku iu dha strehim social. Pas diplomimit, ai filloi të punonte si operator i makinerive CNC për një kompani që prodhonte pajisje dixhitale. Në përgjithësi, ai po jetonte një jetë mjaft të zakonshme deri në momentin që u pushua nga puna në mars të vitit 2020. Në vend që të kërkonte një punë tjetër, siç i sugjeroi dhe babai, ai u kthye në banesën e prindërve të tij dhe vendosi të bënte video për “TikTok”.

Fillimisht, videot e tij s’kishin ndonjë gjë të veçantë dhe filluan të xhiroheshin në një dhomë të zakonshme gjumi, që ai e ndan me vëllain e tij më të madh. Profili i tij në “TikTok” vazhdonte të rritej dhe ai tashmë kishte rreth 2 milionë ndjekës. Por gjithçka ndryshoi në prill të vitit 2021, kur Khaby nisi të filmonte reagimet e tij ndaj videove që supozohej se ishin truke për të lehtësuar jetën. Në fund të atij muaji, ai kishte plot 84.4 milionë ndjekës.

21-vjeçari fitoi famë dhe shumë para nga shtëpia e tij duke përdorur veç një smartphone dhe mjete të improvizuara. Mungesa e fjalës dhe përqendrimi në shprehitë e fytyrës u bënë pika kyçe të suksesit të tij. Përveç pagesës që fiton nga “TikTok”, Khaby është shumë i kërkuar edhe nga kompani të ndryshme për kontrata marketingu. Sipas mediave të huaja, Khaby Lame ka tashmë një pasuri prej $1-$2 milionë.