Health & Beauty

Ky artikull është për gratë, nëse vuani nga diabeti duhet të bëni vizita më të shpeshta te dentisti!

Simptomat e diabetit ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u identifikuar, por është e rëndësishme të dini shenjat paralajmëruese pasi sëmundja mund të çojë në komplikime serioze shëndetësore. Përveç problemeve me këmbët e sytë, komplikimet serioze përfshijnë sulmet e zemrës dhe të trurit, problemet me veshka dhe dëmtimet e nervave.

Ndërkaq, hulumtimet e reja, të publikuara në revistën ‘Diabetologia’, kanë zbuluar se gratë janë 13% më të rrezikuara të zhvillojnë kancer oral nëse kanë diabet. Në përgjithësi gratë ballafaqohen me një rrezik 27% më të lartë për të zhvilluar çdo formë të kancerit nëse kanë diabet, ndërkaq meshkujt janë 19% më të rrezikuar nga kanceri.

Dr.Nigel Cater, thotë se hulumtimet e reja tregojnë për një rrezik të shtuar të grave për të zhvilluar kancer oral nëse vuajnë nga diabeti. Ai sugjeron që nëse e dini se jeni me diabet të bëni vizita të rregullta te dentisti. Përndryshe, simptomat e kancerit oral përfshijnë ulçerat në gojë të cilat nuk shërohen brenda tri javëve, plagët e kuqe dhe të bardha në gojë, si dhe gjëndrat apo ënjtjet e pazakonshme në kokë dhe në zonën e qafës.

Ndërkaq, njerëzit që konsumojnë shumë sheqer kanë më shumë gjasa të zhvillojnë Alzheimer, sipas një studimi të ri. Gjetja mund të shpjegojë pse njerëzit me prediabet dhe diabet të tipit 2 kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen neurodegjenerative. Për të parë se si lidhen këto dy sëmundje, studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Wake Forest në Karolinën e Veriut përdorën modele kafshësh.