Lifestyle

Ky artikull është për ju që keni zbuluar se qenushi juaj ka mbetur shtatzënë…

Nëse qeni juaj nuk është sterilizuar, është e rëndësishme të keni parasysh se qentë bëhen seksualisht aktivë rreth moshës 6 muajshe dhe zakonisht do të duan të çiftëzohen dy herë në vit. Prandaj nëse keni një qen femër të pasterilizuar e cila është në kontakt me qen meshkuj gjithashtu të pasterilizuar, gjasat që ajo të mbetet shtatzënë janë shumë të larta.

Një qen femër e pasterilizuar do të shfaqë simptoma si zgjerim të organit gjenital, gjakderdhje nga organi gjenital, urinim i tepërt, lëpirje e pjesës së poshtme të barkut dhe rritje e oreksit. Në çfarë moshe mund të çiftëzohet një qen? Qentë femra mund të çiftëzohen kur të arrijnë pjekurinë seksuale. Kjo ndodh zakonisht rreth moshës 6 muajshe. Për sa kohë dhe sa shpesh lind dëshira e tyre për t’u çiftëzuar?

Kjo zakonisht do të ndodhë rreth 2 herë në vit nëse qeni juaj nuk është sterilizuar, por mund të variojë nga njëri qen tek tjetri. Mesatarisht, cikli zgjat midis 14 dhe 21 ditëve. Mënyra më e mirë për të shmangur shtatzëni të padëshiruara është mbajtja e qenit brenda shtëpisë, larg vëmendjes së qenve meshkuj. Duhet të dini se ekzistojnë rreziqe shëndetësore nga mossterilizimi i qenit tuaj, si risk i lartë i shfaqjes së kancerit në organet riprodhuese, shfaqje e sëmundjes Pyometra, një infeksion i rrezikshëm i mitrës.

Periudha e shtatzënisë së qenit është shumë më e shkurtër se ajo e njerëzve, por ndryshimet fizike që pëson trupi i një qeni femër janë shumë të ngjashme me ato të një njeriu shtatzënë. Disa shenja janë zmadhimi i gjoksit, rënie oreksi (fillimi i shtatzënisë) apo rritje oreksi (fundi i shtatzënisë), shtim në peshë në 3-4 javët e fundit dhe në muajin e fundit të shtatzënisë ajo do të fillojë të prodhojë qumësht. Gjithashtu ajo mund të bëhet më e dashur ose mund të preferojë të mbajë distancën e të fshihet.

Në fazat e fundit të shtatzënisë, barku i saj do të bëhet më i madh dhe po ta prekni do të ndjeni se është i fortë.  Disa ditë para lindjes, qeni juaj do të fillojë të prodhojë qumësht dhe gjoksi i saj do të jetë zmadhuar. Temperatura do t’i bjerë në rreth 37°C dhe mund t’i ndërpritet oreksi. Gjithashtu ajo mund të lëvizë vazhdimisht duke kërkuar të krijojë një ambient sa më të përshtatshëm për këlyshët që do vijnë shumë shpejt në jetë. Si rrjedhojë e rritjes së kërkesës për ushqim, është thelbësore që qeni të ushqehet me një ushqim të cilësisë së lartë për të marrë energjinë dhe elementët ushqimorë të nevojshëm për rritjen dhe prodhimin e qumështit.