Në protestën e opozitës së bashkuar, ka mbajtur fjalën e tij përmes një video-konference edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha tha në fjalën e tij, se Edi Rama është ai individ, që ka larguar në 10 vite, 1 milionë shqiptarë nga vendi. Berisha akuzoi Ramën se po tenton ta zhdukë opozitën, duke vepruar njësoj si liderët politikë në vende si Rusia dhe Uganda.
Të nderuar qytetarë. Përshëndetje për ju, për të gjithë, që keni mbushur sheshin nga çdo trevë e shqiptarisë. Uragani juaj është uragani i lirisë. Enver Hoxha ishte Hitleri shqiptar. Sot pas 33 viteve demokracie, në krye të vendit ka ardhur një njeri, që e ka zhytur vendin në mjerim dhe ka larguar në 10 vite qeverisje, 1 milionë shqiptarë. Non grata im ishte si termi i dikurshëm “armiku i popullit”. Fill pas kësaj, na grabitën vulën e partisë. Na mohuan financat, na mohuan komisionerët në qendrat e votimit. I frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit mes nesh. Lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim si në Rusi dhe u tentua t’i ndalohej fjala e lirë.
Mbi 1 mijë forca të policisë, mes tyre ata të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës janë në terren për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa një kordon policor po vendoset para kryeministrisë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Gjithashtu do të jenë në dispozicion, autobotë me ujë në rast se do të ketë incidente. Organizatorët kanë kërkuar 4 orë në dispozicion për protestën.
Kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Tiranë por po vijon vizitën zyrtare në Ankara ku ndodhet me ftesë të presidentit Erdoan.