Bota

Lideri Kamenei thotë se Irani nuk është ‘i zemëruar’ me evropianët!

Lideri supremi Iranit, Aiatollah Ali Khamenei tha sot se republika islamike nuk është “e zemëruar” me kombet evropiane dhe dëshiron të bashkëpunojë me ta nëse “nuk ndjekin verbërisht politikat e SHBA”.

Në fjalimin e tij për të shënuar vitin e ri persian të njohur edhe si viti i ri i Novruzit, ai akuzoi se protestat e grave të vitit që shkoi u nxitën nga SHBA dhe disa vende evropiane.

Numri i viktimave të protestave të grave të nisura në shtator në Iran raportohet se i ka kaluar 120, shumica dërrmuese protestues e protestuese.

 “Marrëdhënia jonë me Perëndimin është dobësuar, ndërsa nuk kemi lidhje me SHBA, por kemi forcuar bashkëpunimin tonë me Azinë”, tha Kamenei.

“Lidhje të forta me Afrikën dhe Amerikën Latine janë sigurisht në axhendën tonë, edhe pse nuk jemi të zemëruar me vendet evropiane, nëse ato nuk ndjekin verbërisht politikat e SHBA”.

“Ata na kanë akuzuar padrejtësisht se marrim pjesë në luftën në Ukrainë, dhe kjo gjë nuk është e vërtetë. Në fakt ishte SHBA që nxiti luftën në Ukrianë për të zgjeruar NATO në lindje”.

Kamenei shtoi se Perëndimi ishte përpjekur më kot të izolonte Iranin pasi lidhjet e vendit janë zgjeruar në drejtime të tjera.

Ndërkohe Bashkimi Evropian e Britania vijojnë të mbajnë sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit në lidhje me protestat e nisura nga vdekja e Mahsa Amini, pas arrestit për veshjen konservatore të grave në vend.