Politikë

Lulzim Basha takohet me “qëndrestarët” e Tiranës: Energjitë e mia do ia përkushtoj një opozite të vërtetë

Ish kryedemokrati Lulzim Basha thotë se është takuar me një grup kontribuesish dhe qendrestarësh të PD-së në degën 2 në Tiranë. Sipas tij, kanë qenë vetë këta të fundit që e kanë ftuar për kafe dhe kanë zhvilluar një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë.

Ai flet për një rikthim në Partinë Demokratike, por thekson se “nuk do të bëhem kurrë pjesë e baltosjes, edhe kur të vazhdojnë siç kanë rinisur me të njëjtat sulme, gënjeshtra e mashtrime.”

Lulzim Basha kujton dorëheqjen e dhënë më shumë se një vit më parë, sepse siç thotë, e dinte se prej luftës së brendshme në PD do të përfitonin vetëm kundërshtarët, por përsëri ai e bëri hapin e tij.

“Prandaj e ndjej për detyre t’i përkushtoj energjitë e mija tek një opozitë e vërtetë në shërbim të njerëzve. Vetëm një alternativë e qartë, që ka në qendër hallet e qytetarëve dhe jo ato të politikanëve mund të sjellë ndryshimin e vërtetë”, vijon ish-kryedemokrati.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për një kafe nga një grup kontribuesish dhe qendrestarësh të PD-së në degën 2 në Tiranë. Zhvilluam një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, ku iu përgjigja pa asnjë hezitim pyetjeve, interesit dhe shqetësimeve të tyre dhe këtë do të bej me të gjithë pjesëtarët e familjes sonë politike.

Por unë nuk do të bëhem kurrë pjesë e baltosjes, edhe kur të vazhdojnë siç kanë rinisur me të njëjtat sulme, gënjeshtra e mashtrime. Sepse rruga që kalon përmes politikës së vjetër të baltës, akuzave dhe banalizimit të çdo debati publik na mban në vendnumëro dhe nuk mund të sjellë kurrë ndryshim për njerëzit.

Unë bëra një hap pas sepse nuk doja një luftë të brendshme, i bindur se prej saj përfitojnë vetëm kundërshtarët! Dhe ishte gjëja e duhur. Por ja ku jemi. Asgjë s’ka ndryshuar, madje situata është edhe më keq për demokratët dhe shqiptarët.

Prandaj e ndjej për detyre t’i përkushtoj energjitë e mija tek një opozitë e vërtetë në shërbim të njerëzve. Vetëm një alternativë e qartë, që ka në qendër hallet e qytetarëve dhe jo ato të politikanëve mund të sjellë ndryshimin e vërtetë.