Bota

Macron viziton Kinën javën e ardhshme: Mesazhi për Xi Jinping do të jetë i qartë!

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të udhëtojë në Kinë javën e ardhshme për të biseduar me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Macron dëshiron t’i dërgojë një “paralajmërim të qartë” kolegut të tij Xi Jinping, i cili u prit nga Presidenti rus Vladimir Putin në Kremlin në fillim të këtij muaji, se Evropa nuk do të pranojë që Kina të furnizojë Rusinë me armë.

“Mesazhi ynë do të jetë i qartë: mund të ketë një tundim për t’u afruar me Rusinë, por mos e kaloni atë kufi,” tha një diplomat i lartë francez pa emër.

Mes përkeqësimit të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat arritën kulmin muajin e kaluar pasi SHBA rrëzuan një balonë kineze që fluturonte mbi territorin e saj, Evropa po përpiqet të gjejë vendin e saj në rrethana të tilla të reja.