Aktualitet Dy të vërtetat e një lajmi

Mbahuni burra, dimri po vjen… “Një ngjarje dy të vërteta” kthehet me të tjera ndodhi, na ndiqni më 9 Shtator!

Po mbyllim një verë përvëluese ku italianët ‘pushtuan’ Shqipërinë nga cepi në cep. Turizmi njohu shifra që nuk i kishim parë më herët, megjithatë nuk e dimë ende se sa kjo është përkthyer në para, pasi kishte dhe nga ata që ikën pa paguar. Kishte dhe nga ata turistë që nuk e gjetën dot furgonin për në Vlorë e nga ata që nuk panë vajza të bukura asgjëkundi. Epo nëse rri vetëm në Golem, probabiliteti është disi më i ulët.

Megjithatë mund të themi se jemi të qetë pasi Mihali nuk u shfaq këtë verë. Nuk munguan as personalitete të shumta që pushuan në vendin tonë si Tony Blair, Georgia Meloni, Dua Lipa etj. Byreku di gjithmonë si të tërheqë pas vetes klasën elitare. Me pak fjalë sezoni turistik mund të thuhet se u përmbyll me sukses, por çfarë po ndodh me atë politik vallë, i cili sapo ka filluar?! Epo me shpatë në dorë dhe gjithmonë i pamposhtur në beteja, Don Lulzim Basha rikthehet fuqishëm në luftërat e kësaj vjeshte. Tashmë edhe si Kryetar i Grupit Parlamentar por edhe si Kryetar i Partise Demokratike, e kush e di më vonë edhe ndonjë pozicion tjetër.

Kur flasim për Partinë Demokratikë duket sikur po flasim për shtetet e konfederatës së Amerikës. Janë bërë aq shumë PD saqë është hedhur ideja e bashkimit në formën e një konfederate. Imagjinoni në garë zgjedhore, Partia Socialiste kundër Konfederatës së Partive Demokratike. Tingëllon goxha e fuqishme. Sali Berisha pretendon kryetarin, Basha pretendon kryetarin, Bardhi ‘tradhëton’ Bashën, këto intriga romake nuk kanë të sosur madje edhe vetë ata nuk janë të qartë se çfarë po kurdisin. Jo më pak interesante paraqitet situata në kampin tjetër.

Ndryshimet qeveritare habitën jo pak demokratët dhe socialistët. Ogerta Manastirliu pasi provoi shëndetësinë, tashmë do ta kemi te Arsimi. Një emër i pranuar nga të gjithë si Ervin Mete te financat. Ndërkaq u larguan Olta Xhaçka, Frida Krifca, Evis Kushi, Milva Ekonomi e Evis Kushi. Disa mbase për t’i shpëtuar nga disa akuza e disa të tjerë për mospërmbushjen e detyrave. Pritshmëritë janë krejt neutrale, ndërsa presim rezultatet e tyre. Në botë vijon ofensiva e Rusisë ndaj Ukrainës me një Prigozhin fati i të cilit mbeti mister.

Ende nuk dihet nëse lideri i Wagner ndërroi jetë në një aksident ajror apo vdekja e tij u sajua për të shërbyer tashmë në fshehtësi. Fati i luftës duket se do të dojë ende kohë për tu mësuar, ndërsa shpresojmë që energjia dhe gruri të mos jenë problem gjatë dimrit. Gjithsesi ju merrni masat e nevojshme, për të qenë çdo herë gati!

Për këto e më shumë ngjarje të tjera na ndiqni ditën e nesërme, në “Një ngjarje dy të vërteta“, më 9 Shtator në orën 18:00! Vetëm në Top Albania Radio!