Aktualitet

Mbërritjet nga Greqia vazhdojnë, në Kapshticë vetëm dje hynë 4056 persona

Pika kufitare Kapshticës është përballur me një fluks të lartë të lëvizjeve. Në territorin e Shqipërisë janë regjistruar mbi 4000 hyrje dhe 2800 dalje, në drejtim të Greqisë.

Udhëtarët kanë vendosur të rikthehen në vendin e tyre për të kaluar festat e fundvitit, por deri më tani nuk ka pasur problematika.

Gjithashtu një rritje e lehtë është konstatuar edhe në Qafë Thanë, aty ku kanë hyrë rreth 2500 persona.

Situatë është menaxhuar dhe nuk ka pasur radhë të gjata në pikat e kalimit kufitar.

Edhe porti i Durrësit është përballur me fluks të lartë udhëtarësh, ku mbi 20 mijë persona kanë hyrë në Shqipëri, pesë ditët e fundit.

Mëngjesin e sotëm, në pikën kufitare më të madhe në vend, me dy tragetet e linjës Bari-Durrës mbërritën në port 2 740 persona dhe 706 automjete.

Kompanitë operojnë me një numër të shtuar lundrimesh, vajtje-ardhje brenda ditës. Ky grafik lëvizjesh do të vijojë deri në mesin e muajit janar, por pas natës së ndërrimit të viteve fluksi do të ndryshojë kah. Ku një shifër të lartë do të mbajnë daljet nga Shqipëria.

Aktualisht, për të përballuar fluksin, policia kufitare po operon me kapacitet të plotë, duke vënë në funksion sportelet e saj për një përpunim të shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve në hyrje.

Në Portin e Vlorës 800 persona mbërritën mëngjesin e së martës me të dy tragetet e linjës me Italinë.

Prej kater ditësh në këtë port ka fluks për shkak të festave. Autoritet portuale thonë se rreth 3 mijë pasagjerë kanë mbërritur deri tani.

Sipas shefit të përpunimit të trageteve në port, Festim Skendaj, fluksi pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme referuar edhe prenotimeve.

Sipas Skendaj numri është më i lartë, rreth dyfishi i të njëjtës periudhe të një viti më parë. Por shumë prej këtyre pasagjerëve janë emigrantë që thonë se kanë ardhur për të kaluar festat me të afërmit.

Në Portin e Vlorës ka më shumë sportele këtë vit për të përballuar fluksin e shtuar.