Aktualitet Rajoni

Ministri kroat i Mbrojtjes: Situata në Kosovë jo e mirë, provokimet vijnë nga Serbia!

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, ka deklaruar se situata në Kosovë dhe rajon “nuk është ajo që do të donim të ishte” dhe se është “jo e kënaqshme dhe jo e mirë”.

Anushiç këto komente i bëri në ceremoninë e dërgimit të kontingjentit të 41-të të Forcave të Armatosura Kroate (HRVCON) në operacionin paqeruajtës të KFOR-it.

“Nëse situata do të ishte e mirë, nuk do të ishte e nevojshme të dërgonim forcat e armatosura në misionin e KFOR-it. Shpresojmë që NATO dhe KFOR të arrijnë të stabilizojnë situatën, që të mos ketë përshkallëzim të dhunës,” tha ai, duke shtuar se kishte disa situata që “ishin në kufi”.

Anushiç u shpreh se situatat e kohëve të fundit janë shkaktuar nga pala serbe.

“Të gjitha këto situata u shkaktuan nga pala serbe. Për këtë arsye, është e nevojshme të ruhet paqja dhe rendi në atë zonë. Prania e kontingjentit kroat dhe të gjithë të tjerëve që janë në Kosovë sigurisht që na jep të drejtën të mendojmë se siguria në Kosovë do të ruhet dhe mbrohet”, tha Anushiç.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, ai tha se lufta është një fjalë e pahijshme dhe nuk do të ndodhë sepse forcat kroate janë aty pikërisht për të ruajtur paqen.

“Ne jemi një ushtri që është gati për parandalim, nuk po përgatitemi për ndonjë sulm ose luftë, por për parandalim. Ne duhet të jemi të fortë për të penguar këdo që mendon se mund të përsërisë ngjarjet e vitit 1991, dhe kur flasim konkretisht për Kosovën dhe sinqerisht edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, shpresoj që nuk do të ketë përshkallëzim të konfliktit”, tha ai.

Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor.