Aktualitet Politikë

Miratimi i Amnistisë Penale, Alibeaj: Marrëveshja la në mëshirë të fatit protestuesit dhe sulmuan SPAK-un

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për shtyp foli në lidhje me “Amnistinë Penale”, e cila u miratua dje në Kuvend.

Alibeaj: Me marrëveshjen e djeshme mes dy palëve për amnistinë penale u arritën disa qëllime. Së pari ishte qëllimi për të amnistuar drejtorët e korruptuar të qeverisë Rama dhe të bashkisë Veliaj apo të çdo lloj bashkie tjetër të partisë socialiste. Me ndërhyrje në amnisti, u krijuan hapësira që drejtonin struktura të larta të administratës së kësaj qeverie apo të bashkisë të mund të përfitojnë apo të dalin nga burgu.

Së dyti u lanë në mëshirë të fatit protestuesit, protestues që janë qytetarë të këtij vendi të thirrur nga Partia Demokratuike, të thirrur nga shoqëria civile të cilët kanë dalë në protesta sigurisht kundër kësaj pjese tjetër të korruptuar të qeverisë për të kërkuar të drejtat e tyre. Dje, me aktin e amnistisë nuk përfitojnë protestuesit. Ata vazhdojnë të enden prokurorive, gjykatave vazhdojnë të jenë ende nën thundrën e represionit policer të kësaj qeverie.

Dhe i treti, ky ishte synimi më i madh i marrëveshjes, ishte goditja e SPAK-ut. Atmosfera e cila ka bashkëjetuar gjatë kësaj kohe për sulme, herë sporadike, herë të sinkronizuara për të goditur BKH-n, siç kryeministri Rama ka bërë. Për të krijuar një komision të posaçëm për ta kontrolluar, për të krijuar komisione paralele në parlament. Dje arriti kulmin ku me një akt ligjor, produkti i SPAK-ut dhe i GJKKO-s, u godit në momentin më të vështirë të SPAK-ut. Po dje në raportimin që drejtuesi i SPAK-ut bëri, lëshoi sinjale të rëndësishme ndihme. Referoi që 40% ka rënë numri i referimeve, i kallëzimeve nga organet shtetërore drejt SPAK-ut.