Film & Tv

“Mission: Impossible – Dead Reckoning” (Part One) e ri-konfirmon Tom Cruise si aktorin më të suksesshëm të kinemasë së shekullit të 21. Kritikë.

Shqipëria dhe kinemaja, shqiptarët dhe kinematografia kanë kaluar nëpër peripeci shumë interesante gjatë dhe pas diktaturës. Vitet e kësaj të fundit ishin vite të arta të artit të shtatë, pavarësisht ngjyrimeve ideologjike të kohës. Më pas arti në beze për ca kohë u shndërrua në dhoma masturbimi masiv, ku për një shoqëri të privuar nga shumë kënaqësi kapitaliste, në të njëjtat salla ku shfaqeshin filma ikonë të kinemasë shqiptare filluan të shfaqeshin filma pornografikë. Kinematë thuajse u zhdukën fare nga mesi i viteve ’90 gjatë tranzicionit të ashpër shqiptar dhe më pas filluan të ri-mëkëmbeshin në fillim të viteve 2000 – bashkë me to edhe kënaqësia e të parit të filmave në ekranin e madh, qofshin këto shqiptarë apo suksese ndërkombëtare. Sidoqoftë të gjithë ata që janë të lidhur me biznesin e kinemasë, edhe pse disa nën zë, pohojnë se është një njeri që ‘i ktheu shqiptarët masivisht në salla’ – Ermal Mamaqi (Filmi “Femrat” (Skenari Koloreto Cukali) dhe më pas “Dy Gisht Mjaltë” (me bashkëprotagoniste Elvana Gjata). Sigurisht mbas tij të tjerë emra të televizionit, teatrit dhe filmit përsëritën, në mos kaluan suksesin e tij. Por Mamaqi (dhe njerzit që punuan me të) ishte dhe do të ngelet i pari!

Tom Cruise është për kinemanë botërore ajo (dhe më shumë) që Mamaqi është për kinemanë vendase. E këtu po flas vetëm për kthimin e njerzve në salla!

Janë shumë pak rastet kur një aktor/producent ka shpëtuar me plot kuptimin e fjalës industrinë e filmit siç e njohim. Me ardhjen e shërbimeve streaming, kur shikuesi e zgjedh vetëm kohën, vendin dhe ekranin nga i cili konsumon kinema (nuk janë pak nga ata që shohin filma në celularë) u bë gjithmonë e më sfiduese ta ngrije audiencën nga rehatia e divanit ose krevatit dhe ta çoje në sallën e kinemasë. Shuplaka e pandemisë vetëm sa e bëri procesin edhe më të vështirë. Tom Cruise këmbënguli (mes shumë pak kineastësh të cilët nuk pranuan t’i përuleshin Pandemisë dhe platformave botërore të streaming si Netflix, HBO, Amazon apo Apple+) që jo një, por dy filmat e tij, “Top Gun” dhe “MI7” të dilnin, siç duhej, vetëm në kinema [fillimisht], duke shpëtuar i vetëm biznesin e kinemasë, dhe duke apasionuar një gjeneratë që të parit e filmit e shikon krejt ndryshe nga prindërit apo gjyshërit e tyre. Dhe me çfarë suksesi! 61 vjeçari duket se me kalimin e viteve vetëm sa është bërë më i zoti në artin dhe punën e tij, koha për të është vetëm iluzion.

“Mission Impossible” ka gati tre dakada në ekranin e vogël dhe të madh, ndaj vështirësia për ta mbajtur të freskët dhe interesante vjen pa u thënë. Ndryshe nga 007, Tom Cruise është i vetëm – rreth tij rrotullohet gjithçka, ndaj shumëçka varet vetëm prej tij. Por kjo sfidë rezultoi të ishte një lojë fëmijësh për aktorin dhe producentin i cili edhe pse e vonoi filmin me apo pa dashje për 3 vite rrjesht, edhe pse e nxorri në korrikun më të nxehtë prej vitesh nga pikëpamja e konkurrencës (Filmi ka përballë tre filma shumë të pritur nga audienca: Sagën e dashur “Indiana Jones”, “Barbie” dhe “Oppenheimer“) çdo gjë u kthye në favor të tij. Cruise vazhdon të bëjë dublantin e tij në skenat më të pamundura të aksionit duke sjellë risi në një zhanër që thuajse është bërë gjithçka. Kjo e bën atë më të veçantin, më të vërtetin, një personazh i cili me përulësi, dedikim dhe nerv bën një profesion tejet të vështirë, duke e kthyer në aktorin më të dashur të brezit të tij pa më të voglin ekzagjerim.

Tek “Dead Reckoning” (Pjesa e Parë) (E dyta del Korrikun e 2024), alteregoja e Cruise – Ethan Hunt – nuk del në skenë prej fillimit. Filmi nis me një skenë që duket sikur është shkëputur nga “The Hunt For Red October” me një nëndetëse ruse e cila e gjen veten të sulmuar nga Inteligjenca Artificiale – që është në fakt në qëndër të serisë së shtatë të sagës. Historia, në kohët që po jetojmë ngre një rrezik të madh së cilit i kanosemi, edhe pse për momentin nuk jemi shumë të ndërgjegjshëm. Në këtë faqe të historisë do të gjeni personazhe të vjetër dhe të rinj të “Mission Impossible”, si edhe rikthime të bujshme. I gjithë filmi është një vazhdimësi pa frymëmarrje aksioni, me një Cruise që duket se vrapon gjatë [thuajse] gjithë kohës, skena vërtet fantastike të ndërthurjes së xhirimeve reale me ndihmën e (disa) efekteve speciale që e bëjnë filmin gati 3 orë të gjatë të ngjajë si më pak se 30 minuta. Sigurisht historia ka cenet e veta, por që janë si të gjesh qimen në qull, ndaj nuk do i futem tregimit të më shumë detajeve nga filmi.

Në morinë filmave aksion të viteve të fundit, “MI” vazhdon të jetë udhëheqësi i ekuilibrit perfekt të elementeve që e bëjnë një film të këtij zhanri të suksesshëm. Kumbari i sagës nuk harron asnjë përbërës dhe si një shef me disa yje Michelin di ti balancojë ato me sy mbyllur duke servirur, sërish, një eksperience fantastike në ekranin e madh, e ngjashme me të qënit në një park lojërash, në një nga ato trenat e tmerrshëm, që bashkojnë adrenalinën me ankthin me të vetmin ndryshim, se në fund të xhiros nuk të përzihet.

Në fund të filmit, thua me vete me plot gojë – Një dhe i vetmi, Tom Cruise!

“Mission: Impossible – Dead Reckoning” (Part One) vazhdon të shfaqet në Cineplexx TEG & QTU!