Papagalli blu është më i madhi nga të gjithë papagajtë. Ky zog është pjesëtar i një specieje të rrallë dhe të rrezikuar. Papagalli blu shihet më shpesh në kopshte zoologjike. Ai ka nevojë për një pronar që ka shumë kohë, durim dhe burime financiare. Ky zog i ndjeshëm emocionalisht mund të rritet pothuajse aq i gjatë sa një shqiponjë. Papagalli blu (Anodorhynchus hyacinthinus) është një metër i gjatë nga koka deri te bishti, hapja e krahëve të tij është rreth 120 cm dhe peshon deri në 1.5 kilogramë.
Ky gjigant midis papagajve mund të jetojë më shumë se 60 vjet. Ky zog e ka origjinën nga Amerika e Jugut qendrore dhe lindore. Ekzistojnë tre popullata kryesore të tij; një në rajonin ligatinor Pantanal të Brazilit, Bolivinë lindore dhe Paraguajin verilindor, një tjetër në rajonin Cerado të brendësisë lindore të Brazilit dhe një e treta në pellgun e Amazonës të Brazilit. Papagalli blu shihet më së shpeshti në kënetat e palmave, pyjet dhe zonat gjysmë të hapura dhe shmang pyjet e dendura dhe të lagështa. Zakonisht mund të gjendet në zona të hapura përgjatë lumenjve të mëdhenj.
Ornitologu dhe artisti anglez John Latham përshkroi dhe katalogoi për herë të parë këtë lloj më 1790. Numri i këtyre shpendëve në natyrë ka ardhur në rënie që atëherë, për shkak të zvogëlimit gradual të habitatit të tyre natyror dhe kërkesës së vazhdueshme për këtë shpend në tregtinë e kafshëve shtëpiake, si dhe gjuetohet nga fiset indigjene për mish dhe pupla. Ky shpend është i butë me njerëzit, kërkojnë shumë më tepër kohë dhe vëmendje se llojet e tjera të papagajve.
Papagalli blu kërkon një hapësirë të madhe jetese. Nëse është e mundur, bëjini atij një kafaz prej çeliku inox të bërë me porosi. Sqepi i tij është një armë e fuqishme. Për fat të mirë, këta papagaj janë të urtë dhe të qetë dhe kënaqen me trajnimin dhe shoqërimin me njerëzit. Edhe pse nuk flet rrjedhshëm, do të mësojë disa fjalë dhe fraza dhe do t’i përsërisë ato pa pushim.
Në natyrë, ushqehet me fruta, bimë jeshile dhe arra, veçanërisht nga palmat. Sqepi i tij i fuqishëm mund të thyejë edhe arrën e kokosit. Në kafaz, ha fruta, perime, sallata dhe arra, veçanërisht arra makadamia, sepse ka nevojë për më shumë karbohidrate se llojet e tjera të papagajve. Ky lloj i papagajve mund të vuajë nga zmadhimi i stomakut. Çelësi i shëndetit të mirë të tyre është një dietë e ekuilibruar dhe kontrollet e rregullta tek veterineri.