Bota

Në Afganistan vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar pas tërmeteve me mbi 2 mijë viktima!

Në Afganistan, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet nën rrënoja pas tërmeteve vdekjeprurëse të 7 tetorit që gjunjëzuan qytetin veriperëndimor Herat. Administrata talebane tha se të paktën 2 mijë e 400 njerëz kanë vdekur e shumë të tjerë janë lënduar.  Shtetet fqinje si Pakistani e Irani u shprehën gati të dërgojnë ekipe të shpëtimit dhe ndihma humanitare në Afganistan.

Shumë ndërtesa në qytetin Herat shpëtuan pothuajse pa u dëmtuar, por minaret e xhamive të tij të famshme mesjetare pësuan dëme, sipas imazheve të publikuara në rrjetet sociale.

Shumë prej anëtarëve të familjeve tona kanë rënë martirë, përfshirë njëri nga bijtë e mi, ndërsa djali im tjetër është lënduar”, tha për Reuters Mir Ahmed, një banor i Heratit. Shumica e njerëzve ende janë nën rrënoja.

Autoritetet afgane për menaxhimin e fatkeqësive kanë raportuar se në zonat rurale dhe malore pati rrëshqitje të dheut. Herati gjendet 120 kilometra në lindje të kufirit me Iranin dhe konsiderohet kryeqyteti kulturor i Afganistanit.

Sipas të dhënave të vitit 2019 të Bankës Botërore, në provincën Herat jetojnë 1.9 milion banorë. Shpesh, Afganistani goditet nga tërmetet, sidomos në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet në afërsi të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1 mijë persona humbën jetën e qindra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet i magnitudës 6 i shkallës Rihter goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka tronditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.

Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit 6.5 Rihter dhe që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.

Nga ana tjetër, kujtojmë se Afganistani po përballet me një krizë humanitare, për shkak të ndalimit të ndihmës së huaj pas rikthimit të talebanëve në pushtet, në gusht të vitit 2021 kur u tërhoqën forcat ushtarake të koalicionit ndërkombëtar me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.