Bota Health & Beauty

Në Uajoming të SHBA-ve, firmoset ligji që ndalon pilulat për abortin!

Në Amerikë, Uajomingu bëhet i pari shtet që ndalon pilulat për abortin. Kjo pasi guvernatori Mark Gordon firmosi një ligj që e bën të paligjshëm përshkrimin, si edhe shitjen e tyre. Shkelja e vendimit shoqërohet me penalitete. Eshtë fjala për burg deri në gjashtë muaj heqje lirie e po ashtu për 9 mijë dollarë gjobë, ndonëse vihet në dukje se ka përjashtime:

Gratë ndaj të cilave kryhet apo tentohet të kryhet aborti, nuk do të ndiqen penalisht në Uajoming.

Pas këtij vendimi të Gordonit, një gjyqtar në Teksas bëri të ditur se po e konsideron mundësinë e një padie çka mund të bllokojë zbatimin e ndalesës për pilulat e abortit në të gjithë vendin. Pilulat e abortit janë metoda më e zakonshme për t’i dhënë fund një shtatzënie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Uajoming, ligji i miratuar nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët amerikanë, pritet që të hyjë në fuqi prej datës 1 korrik të këtij viti. Aty nuk përfshihen pilulat që merren për parandalimin e shtatzënisë menjëherë pas marrëdhënies seksuale e që njihen ndryshe si (Morning-After Pills), apo trajtimet që ekzistojnë për të mbrojtur një grua, shëndeti i së cilës është në rrezik.

Avokati i Sindikatës së Uajomingut për Liritë Civile Amerikane, Antonio Serrano e kritikoi ashpër projektligjin, duke deklaruar:

Në dhënien e vendimeve të rëndësishme mjekësore nuk duhet të ndikojë politika, por të ketë përparësi shëndeti i njeriut. Këtu duhet të përfshihet edhe vendimi për të kryer një abort.

Uajomingu rezulton një prej vendeve të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është duke u sfiduar çështja e ndalimit të abortit, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të përmbysur një vendim të vitit 1973, i njohur si Roe v Wade e që legalizonte abortin.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, jo automatikisht aborti është bërë ilegal në SHBA, por shtetet mund të vendosin nëse do ta lejojnë apo jo.