Aktualitet Sociale

Nga 2024-a, Bashkia e Tiranës kërkon rritjen 15% të tarifës ditore të ushqimit për fëmijët e çerdheve dhe 6% për kopshtet publike!

Nga viti i ardhshëm pritet të rriten tarifat e ushqimit për fëmijët që frekuentojnë institucionet publike parashkollore në Tiranë. Në relacionin e projektbuxhetit të 2024-ës, bashkia kërkon rritjen e tarifës ditore të ushqimit për fëmijët e kopshteve e të çerdheve nga 6 deri në 15%.

Për fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë paguhet tarifa mujore, e cila përbëhet nga tarifa për ushqimin që llogaritet me tarifën ditore dhe ditët e frekuentimit të fëmijës gjatë një muaji.

Për fëmijët e kopshteve, tarifa ditore e ushqimit nga 160 lekë në ditë nga 2024 është kërkuar të jetë 170 lekë në ditë (rritje 6,2%). Për fëmijët e çerdheve tarifa ditore e ushqimit nga 130 lekë në ditë do të jetë 150 lekë në ditë (rritje prej 15,3%).

Sipas relacionit të projektbuxhetit rritja e tarifës ditore është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të artikujve ushqimorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në vitet e fundit kanë hasur në vështirësi në përballimin e shpenzimeve për ushqim duke qenë se çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur dhe për këtë qëllim është kërkuar dhe rritja e tarifës së ushqimit për të dy nëndarjet; tarifa e ushqimit për kopshte nga 160 lekë në ditë në vlerën 170 lekë në ditë dhe tarifa e ushqimit në çerdhe nga 130 lekë në 150 lekë në ditë.

Në vlerat e parashikuara për arkëtim nga pagesat e tarifës për ushqim për të dy tipologjitë e institucioneve është marrë parasysh vlera e rimbursimeve për shtresat të cilat janë të përjashtuara nga tarifa e ushqimit.

Rritja e tarifës së ushqimit për çerdhet dhe kopshtet pritet të rrisë të ardhurat që realizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve me 57 milion lekë apo rreth 17% për 2024-ën në raport me të ardhurat e pritshme të 2023-shit.

Për 2023-shin parashikohen që të ardhurat nga pagesat e kopshteve të fëmijëve të arrijnë 230 milion lekë, ndërsa për 2024-ën pritet në vlerën e 255 milion lekëve apo rreth 11%.

Të ardhurat nga pagesat e çerdheve të fëmijëve për vitin 2023 parashikohen të realizohen në vlerën e 108 milion lekëve, ndërsa për 2024-ën, të ardhurat pritet të arrijnë në 140 milion lekë apo rreth 30% më shumë.

Në relacion, Bashkia e Tiranës argumenton se gjithashtu shtimi i arkëtimeve nga pagesat e kopshteve e çerdheve do të ndikohet edhe nga shtimi i strukturave akomoduese. Deri në fund të vitit 2027, parashikohet të ndërtohen 22 kopshte e çerdhe të reja.

Në 12 njësitë administrative të kryeqytetit janë 53 kopshte publike dhe 43 çerdhe, të cilat menaxhohen nga Bashkia e Tiranës. Në fillim të vitit të ri akademik, tarifat për fëmijët e çerdheve dhe kopshteve publike në Tiranë nuk ndryshuan.

Rritje të tarifave këtë vit pati nga disa kopshte jopublike në kryeqytet. Për shkak të shtimit të kërkesës, tarifat në kopshtet private u shtrenjtuan deri 42% më shumë, krahasuar me vjet./Monitor