Bota

Nikki Haley hedh pas rivalitetin e do të votojë për Donald Trump-in!

Nikki Haley bëri të ditur se ajo do të votojë për Donald Trump-in në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, një shfaqje e dukshme e mbështetjes për kandidatin republikan duke patur parasysh rivalitetin e theksuar dhe shpesh personal gjatë zgjedhjeve paraprake brenda kampit republikan.

Por, po ashtu, Haley e bëri të qartë se ajo mendon se Trump ende ka shumë punë për të bërë, për të fituar përkrahjen e votuesve që e mbështetën gjatë fushatës paraprake dhe ende vazhdojnë të votojnë për të.

Unë do të votoj për Trump-in!

Kjo u theksua nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë presidencës së Trump-it, në një aktivitet të zhvilluar në Institutin Hudson në kryeqytetin amerikan.

Trump-i do të tregohej i zgjuar nëse u zgjat dorën miliona njerëzve që votuan për mua dhe vazhdojnë të më mbështesin dhe të mos mendojë se ata thjesht do të votojnë për të. Shpresoj që ai ta bëjë këtë.

Këto janë komentet e para publike që nga largimi i saj nga gara presidenciale, një sinjal tjetër i konsolidimit të plotë të mbështetjes së Partisë Republikane për Trump-in, madje edhe nga ata që e kanë etiketuar si “të rrezikshëm” në të kaluarën.

Dy muaj më parë, Haley i dha fund fushatës për të siguruar emërimin e Partisë Republikane për të konkurruar për Shtëpinë e Bardhë, por nuk pati shprehur mbështetjen për Trump-in. Më parë, ish-diplomatja e ka akuzuar për kaos dhe shpërfillje të rëndësisë së aleancës së Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera. Madje, pati ngritur pikëpyetje nëse 77-vjeçari është shumë i vjetër për të qenë sërish president.

Fushata e Trump-it nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar mbi njoftimin e Haley-t. Ndërkohë, kampi demokrat është përpjekur të fitojë mbështetjen e përkrahësve të saj, pasi i sheh si votues vendimtar.

Fushata e Biden-it po organizon republikanë që e mbështesin. Ata do të jenë pjesë e ekipit dhe do të përqendrohen për të fituar mbështetjen e përkrahësve të Haley-t në shtetet fushëbeteja, sipas burimeve që kanë njohuri mbi planet, por nuk janë të autorizuar të flasin publikisht.

Fushata e Biden-it do të vazhdojë përpjekjet për të tërhequr mbështetësit e Haley-t. Ndërkohë, Haley kritikoi politikën e jashtme të presidentit Biden dhe trajtimin e situatës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara e Meksikës.