Aktualitet Sociale

Nisi sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për 700 mijë pensionistë!

Në të gjithë vendin sot nisi shpërndarja e bonusit të fundvitit për 700 mijë pensionistë. Të premten, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe personave të tjerë që përfitojnë trajtime financiare me bonusin e fundvitit, në masën 5 mijë lekë, me një fond total prej 3.5 miliardë lekësh.

Bonusi i fundvitit shpërndahet së bashku me pensionet mujore përgjatë muajit dhjetor nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Po ashtu, shpërblimi mund të tërhiqet nga përfituesit edhe pas festave të fundvitit. Ky është bonusi i dytë që jepet brenda këtij viti, pas atij të akorduar në muajin prill, nga i cili përfitojnë rreth 700 mijë pensionistë, si edhe kategori të tjera, që marrin trajtime financiare.

Tre vitet e fundit, për indeksimin e pensioneve janë alokuar 25 miliardë lekë, të cilat me buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm arrijnë në afro 30 miliardë lekë dhe me efekt të përhershëm në Buxhetin e Shtetit.

Në një tjetër zhvillim, të gjithë fermerët që kanë aplikuar për të përfituar naftën pa akcizë do të marrin sasinë në bazë të sipërfaqeve që zotërojnë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se deri në fund të muajit dhjetor fermerët duhet ta tërheqin sasinë e naftës.

Këtu përfshihen fermerët potencialë që nuk e kanë tërhequr të gjithë sasinë për të cilën kanë aplikuar. Sipas MBZHR-së, sapo të njoftohen fermerët duhet të vijnë të marrin naftën në drejtoritë rajonale bujqësore përkatëse të zonës së tyre.

Ndërkohë në të gjitha drejtoritë rajonale bujqësore vijon shpërndarja e kartave të naftës pa taksa për fermerët nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023. Deri tani janë 33 mijë e 462 fermerë përfitues, të cilët janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore. Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.

Sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023.