Bota

Një armëpushim në Gaza, Antony Blinken në Lindjen e Mesme!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të qëndrojë në Lindjen e Mesme për të gjashtën herë që kur nisi lufta në Rripin e Gazës, në përpjekje për të siguruar një pushim të përkohshëm në luftime, si dhe lirimin e pengjeve.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, nisi më 7 tetor, pas një sulmi të grupit radikal palestinez në jug të Izraelit, që la të vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë.

Gjatë kësaj vizite në rajon, Blinken do të takohet me udhëheqësit sauditë në Xhedah dhe me ata egjiptianë në Kajro për të diskutuar lidhur me bisedimet që po ndërmjetësohen nga Egjipti e Katari për arritjen e një marrëveshjeje, por edhe për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë, siç tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi do të rinisin gjatë kësaj jave në Katar, por negociatat e vështira disa javore ende nuk kanë siguruar një akord mes Izraelit dhe Hamasit, që Uashingtoni shpreson se do të lehtësonte krizën humanitare që ka mbërthyer Gazën.

Blinken tha se ai do të bisedojë për hapat e qeverisjes, sigurisë dhe zhvillimit në Gazë pasi të ketë mbaruar lufta.

Që nga janari, ne jemi duke bërë shumë punë, sidomos me partnerët tanë arabë dhe do të shtyjmë përpara këto biseda, por po ashtu do të diskutojmë se cila është arkitektura e duhur për paqe të qëndrueshme rajonale”, tha Blinken gjatë një konference për media në Manila, para se të nisej drejt Lindjes së Mesme.

Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gaza, deri tani janë vrarë pothuajse 32 mijë persona sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën që udhëhiqet nga Hamasi.

Blinken nuk ka planifikuar që të qëndrojë në Izrael gjatë kësaj vizite, shtet të cilin e ka vizituar disa herë që nga nisja e luftës në Gaza.

Tensionet janë rritur mes administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili të martën refuzoi thirrjen e Biden-it që Izraeli të mos vazhdojë përpara me sulmin e planifikuar tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur janë duke u strehuar.