Bota

Një në gjashtë fëmijë përballen me bullizëm në internet pavarësisht gjinisë!

Sipas të dhënava nga OBSH rreth 16% e moshave 11 deri në 15 vjeç thonë se kanë qenë viktima të ngacmimeve në internet në vitin 2022, një shifër që shënoi një rritje nga sondazhi i mëparshëm. “Ky raport është një thirrje zgjimi për ne që të luftojmë ngacmimet dhe dhunën kudo dhe kurdo që ndodh”,-tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge. Raporti i mëparshëm i sjelljes shëndetësore në fëmijët e moshës shkollore (HBSC), bazuar në të dhënat e vitit 2018, tha se 13% e fëmijëve të kësaj moshe ishin ngacmuar në internet.

11% e fëmijëve thanë se ishin ngacmuar në shkollë vitin e kaluar, nga 10 % katër vjet më parë. OBSH tha se pandemia ka ndryshuar mënyrën se si ndërveprojnë adoleshentët, duke shpjeguar se format digjitale të dhunës filluan të zbatoheshin veçanërisht pas Covid-19, kur bota e të rinjve u bë gjithnjë e më digjitale gjatë periudhave të karantinës. Sipas raportit të ri, 15% e djemve dhe 16% e vajzave thanë se ishin ngacmuar në internet të paktën një herë në muajt e fundit.

Sondazhi përfshiu 279,000 fëmijë dhe adoleshentë nga 44 vende dhe rajone në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada. Nivelet më të larta të ngacmimeve u regjistruan te djemtë në Bullgari, Lituani, Poloni dhe Moldavi, ndërsa më të ulëtat te djemtë në Spanjë. Bullizmi kibernetik arrin kulmin në moshën 11 vjeç për djemtë dhe 13 vjeç për vajzat.

Megjithëse nuk ka shumë dallime në normat sipas profesionit të prindërve, në Kanada janë raportuar më shumë incidente ngacmimi midis fëmijëve më të varfër. Ndërkaq, disa prindër thonë se lejimi i fëmijëve të shpenzojnë shumë orë në pajisjet digjitale si smartfonët, tabletët, laptopat, etj është e dëmshme për mirëqenien e përgjithshme të fëmijëve ndërsa disa prindër të tjerë i vlerësojnë përfitimet edukative dhe zhvillimore që këto pajisje ua ofrojnë atyre. Këtë të fundit e thotë edhe sociologu Ellis Cashmore i cili i paralajmëron prindërit të mos ua ndalojnë fëmijëve kohën që shpenzojnë në internet, duke e vlerësuar këtë ndalesë si abuzim ndaj tyre.