Bota

Norvegjia do t’i ndalojë hyrjen shumicës së turistëve rusë!

Norvegjia do të vendosë kufizime shtesë ndaj turistëve rusë për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo u njoftua sot nga Ministria e Drejtësisë e vendit nordik.

Hyrja do të jetë e ndaluar pothuajse për të gjithë turistët rusë.

Norvegjia, një vend anëtar i NATO-s, ndan një vijë kufitare gati 200 kilometra të gjatë me Rusinë në Arktik. Për të parën herë, Oslo zyrtare i vendosi kufizime turistëve rusë në vitin 2022, pak pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar e të jashtëligjshëm të Ukrainës fqinje, në shkurt të mbi dy viteve më parë.

Ministrja e Drejtësisë e Norvegjisë, Emilie Enger Mehl, u shpreh:

Vendimi në lidhje me ashpërsimin e rregullores së hyrjeve është në përputhje me qëndrimin e Norvegjisë, për të qëndruar përkrah aleatëve dhe partnerëve në përgjigjen e tyre ndaj agresionit e luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Qytetarëve rusë, qëllimi i të cilëve është turizmi dhe udhëtimet e tjera jo shumë thelbësore, tashmë nuk do t’iu lejohet hyrja. Përjashtime mund të ketë në raste të tilla siç janë vizitat te familjarët e ngushtë që jetojnë në Norvegji, referuar burimeve zyrtare të ministrisë. Vendimi i ri do të hyjë në fuqi më 29 maj, pra të mërkurën e javës së ardhshme.

Rreth një vit më parë, Rusia e ka shtuar Norvegjinë në listën e “shteteve jomiqësore”, duke pretenduar se po shënjestron diplomatët rusë jashtë shtetit. Një hap i tillë i përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Gushtin e kaluar, qeveria ruse publikoi urdhrin, përmes së cilit e kufizon në 27 numrin e punonjësve që mund të angazhojë misioni diplomatik norvegjez në Rusi. Në të kaluarën, Norvegjia ka dëbuar 15 diplomatë rusë, duke i akuzuar për kryerje të aktiviteteve të Inteligjencës, duke u fshehur pas misionit diplomatik. Edhe Rusia është hakmarrë e ka dëbuar diplomatë norvegjezë.

Norvegjia pati thënë se si dy vende që ndajnë kufirin në Arktik, ato kanë interes për funksionim të marrëdhënieve diplomatike.  Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Republika Çeke janë shtuar në listën e vendeve jomiqësore ndaj Rusisë, në maj të vitit 2021, ndërsa Greqia, Danimarka, Sllovenia, Kroacia dhe Sllovakia, në korrik të vitit 2022 e lista sa vjen e zgjerohet.