Bota

Nuk ndalen protestat e dhunshme në Francë kundër reformës së pensioneve!

Vazhdojnë protestat e dhunshme kundër reformës së pensioneve në Francë. Në Paris, sërish protestuesit u përleshën me policinë. Mijëra vetë hodhën sende të forta drejt forcave të rendit, që nga ana e tyre u kundërpërgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Trazirat e orëve të para të mëngjesit, shënojnë ditën e dytë të protestave të dhunshme që nga koha kur presidenti francez, Emmanuel Macron ka vendosur të çojë përpara reformën shumë të debatuar për rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 sa është aktualisht në 64 vjeç. Këtë e bëri pa votim në Parlament, u anashkalua votimi në Dhomën e Ulët. Në Kushtetutën e Francës, një nen i veçantë e lejon ekzekutivin ta bëjë këtë.

Menjëherë pas vendimit të shefit të Elizesë, opozita franceze nisi procedurën për votë mosbesimi ndaj qeverisë së Francës. Marine Le Pen, liderja e Marshit Kombëtar kritikoi ashpër vendimin e presidentit Macron, duke e quajtur “dështim total për qeverinë”.

Policia franceze arrestoi dhjetëra persona në trazirat që ndodhën në afërsi të selisë së Parlamentit. Por, protesta u mbajtën edhe në të tjera qytete franceze, përfshirë Strasburgun. Disa prej të pranishmëve deklaruan:

Ne nuk do të heqim dorë!

Ende ka shpresë që reforma mund të tërhiqet.

Qeveria ka vënë në dukje se “ndryshimet në ligjin për pensionet janë thelbësore, për të shmangur një mbingarkesë të padëshiruar e me gjasë, bllokimin e sistemit sa iu përket pensioneve”.

Nga protestat e vazhdueshme janë prekur shumë shërbime publike, përfshirë transportin, si dhe shkollat në shtetin francez. Kujtojmë se dy ditë më parë, policia arrestoi 217 persona. Në qendër të Parisit, në Place de la Concorde ishin mbledhur rreth 6 mijë kundërshtarë të reformës së pensioneve. Forcat e rendit i shpërndanë me pompa uji e gaz lotsjellës.

Për në datën 23 mars, sindikatat franceze shpallën një ditë të re grevash e protestash.