Rajoni

O’Brien: Shpresojmë se do të bëhet gjithçka që të themelohet Asociacioni!

Nga Beogradi ku takoi presidentin serb, Vuçiç, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet. O’Brien rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë, që të kuptojnë si do të duket jeta e tyre”.

Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush detyrimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes e të tjerëve.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013-ën e më pas më 2015-ën për themelimin e Asociacionit. Por, më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën. Themelimi i Asociacionit është përfshirë edhe në Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve që palët arritën vitin e kaluar.

Duke folur për rezolutën që pritet të miratohet në Kombet e Bashkuara për Srebrenicën, O’Brien u shpreh se qëllimi është që të ketë partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër, për t’u përballur me të vërtetën. Zyrtari amerikan vuri në dukje se ka qenë avokat që ka punuar në hetimin e krimeve të luftës e ishte pjesë e ekipit të parë që hetoi vrasjet në Srebrenicë.

Në atë kohë, qeveria serbe na garantoi sigurinë. Me ne ishin edhe përfaqësuesit e OKB-së kur po kryenim punën për të zbardhur të vërtetën. Edhe sot e kësaj dite po e bëjmë këtë dhe ne duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë e duhet të jemi partnerë edhe tani.

Vuçiç tha se shteti i tij dhe SHBA-të pajtohen për pak gjëra, por paqja dhe stabiliteti duhet të ruhen.

Ne biem dakord se është shumë e rëndësishme që të ruhen paqja dhe stabiliteti. Nga ana serbe, premtoj që Serbia do të sillet në mënyrë të përgjegjshme e serioze. Jam veçanërisht i shqetësuar lidhur me rezolutën e OKB-së për Srebrenicën. Serbia kundërshton “fuqishëm” miratimin e saj sepse e dimë se çfarë nënkupton kjo dhe sa shumë do të jetë pengesë për raportet në rajon. Serbia do të vazhdojë edhe luftën që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Europës.

Javën e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Tani, çështja kalon në Këshillin e Ministrave që mblidhet në maj. Ky këshill është organi i fundit që vendos përfundimisht nëse një shtet bëhet anëtar i Këshillit të Europës.