Aktualitet Bota

OBSH: Antibiotikët u mbipërdorën në pandemi!

Provat e reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë mbipërdorimin e gjerë të antibiotikëve gjatë pandemisë COVID-19 në mbarë botën, gjë që mund të ketë përkeqësuar përhapjen “e heshtur” të rezistencës antimikrobike (AMR).

Ndërsa vetëm 8% e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 kishin bashkë-infeksione bakteriale që kërkonin antibiotikë, tre nga katër ose rreth 75% e pacientëve janë trajtuar me antibiotikë ‘vetëm në rast se mund të jenë një ndihmë’.

Shkalla më e lartë e përdorimit të antibiotikëve u pa tek pacientët me COVID-19 të rëndë, me një mesatare globale prej 81%. Në rastet e lehta ose të moderuara, kishte një variacion të konsiderueshëm midis rajoneve, me përdorimin më të lartë në Afrikë(79%).

“Kur një pacient ka nevojë për antibiotikë, përfitimet shpesh tejkalojnë rreziqet që lidhen me efektet anësore ose rezistencën ndaj antibiotikëve. Megjithatë, kur ato janë të panevojshme, ato nuk ofrojnë asnjë përfitim ndërsa paraqesin rreziqe, dhe përdorimi i tyre kontribuon në shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës antimikrobike,” thotë Silvia Bertagnolio, Shefe e Njësisë së OBSH-së për Mbikëqyrjen e Laboratorit për AMR.

Në përgjithësi, përdorimi i antibiotikëve nuk përmirësoi rezultatet klinike për pacientët me COVID-19. Por përkundrazi, mund të shkaktojë dëm për njerëzit pa infeksion bakterial, krahasuar me ata që nuk marrin antibiotikë. Kjo nënvizon nevojën urgjente për të përmirësuar përdorimin racional të antibiotikëve për të minimizuar pasojat e panevojshme negative si për pacientët ashtu edhe për popullatën.