Bota

OKB-ja ndal shpërndarjen e ushqimeve në Rafah!

Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB pezulloi shpërndarjen e ushqimeve në qytetin jugor të Gazës, Rafah dhe kjo për shkak të mungesës së furnizimeve e situatës së paqëndrueshme të sigurisë, shkaktuar nga zgjerimi i operacionit ushtarak të Izraelit. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se operacionet humanitare në të gjithë territorin ishin drejt kolapsit.

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh se Izraeli iu është përgjigjur shumë prej shqetësimeve të administratës së presidentit Joe Biden lidhur me planet për një ndërhyrje tokësore në Rafah e që synon çrrënjosjen e luftëtarëve të organizatës radikale palestineze Hamas, atje.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden kundërshtoi një sulm të përgjithshëm ushtarak në qytetin e mbushur me civilët e zhvendosur nga pjesët e tjera të Gazës. Biden kërkoi që më parë t’i jepet përparësi sigurisë së palestinezëve të pafajshëm.

Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar që të komentonte publikisht. Më tej, ai vuri në dukje se administrata nuk i dha dritën e gjelbër planit për ndërhyrje, por nënvizoi se ndryshimet që bënë zyrtarët izraelitë lënë të kuptohet se ata po i marrin seriozisht shqetësimet e administratës amerikane.

Gjatë dy javëve të fundit, janë me qindra mijëra njerëz që janë larguar nga Rafahu në mënyrë kaotike, duke kërkuar strehim në kampe të reja ose duke u mbledhur në zonat tashmë të shkatërruara nga ofensivat e mëparshme izraelite.

Rreth 400 mijë persona besohet se ende janë në Rafah pasi afro 900 mijë të tjerë u larguan me nxitim, sipas COGAT-it, zyrës ushtarake izraelite, përgjegjëse për çështjet civile palestineze.

Marrja e ndihmave për civilët e zhvendosur është penguar nga pikë-kalimet e mbyllura, si dhe nga problemet me platformën e re lundruese të ushtrisë amerikane, që synonte të ofronte një rrugë alternative detare për të futur ndihmat në Gaza.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder iu tha gazetarëve në Uashington se ditët e fundit, dërgimi i ndihmave nga platforma u ndal, por se rifilloi të martën, pra dje.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së bëri të ditur se po i mbaronin furnizimet për Gazën qendrore, ku tani jetojnë qindra mijëra njerëz.