Bota

OKB-ja, thirrje për rreth 3 miliardë dollarë për të ndihmuar palestinezët!

Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për 2.8 miliardë dollarë për të ofruar ndihmën e nevojshme për 3 milion palestinezë duke theksuar se lufta ndaj urisë në Gazën e shkatërruar nga lufta nuk kërkon vetëm ushqim, por edhe ndërtimin e kanalizimeve e impianteve të ujit, si dhe objekteve shëndetësore.

Andrea De Domenico, shefi i Zyrës Humanitare të OKB-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor, iu tha gazetarëve se kërkohen të kryhen “operacionet masive” në mënyrë që këto shërbime të rikthehen e të kenë standarde minimale. Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet në kohën kur operacionet ushtarake po vazhdojnë në enklavën palestineze.

Ai shtoi se në Gazë janë shkatërruar spitale, sisteme të ujësjellës-kanalizimeve, shtëpi, rrugë e shkolla. De Domenico deklaroi se së fundi, Izraeli përfundoi operacionin e dytë të madh ushtarak në spitalin Shifa, më i madhi në Gaza dhe ky operacion “ishte aq shkatërrimtar” sa u detyruan të mbyllin godinën.

Izraeli ka premtuar se do të hapë më shumë pika kufitare për në Gaza e do të rrisë dërgesat me ndihma humanitare, pasi në një sulm me dronë u vranë shtatë punonjës të ndihmës nga organizata “Kuzhina Qendrore Botërore”, që më 1 prill ishin duke dërguar ushqime në territor.

Vrasjet janë dënuar nga aleatët më të ngushtë të Izraelit, duke rritur kritikat ndaj shtetit hebraik pas gjashtë muajsh luftë.

Lufta u nxit pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Ofensiva izraelite në Gaza që synon shkatërrimin e Hamasit ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka lënë të vrarë afro 34.000 persona, referuar autoriteteve lokale shëndetësore.

De Domenico tha se ka sinjale se Izraeli ka “qëllime të mira” sa i përket rritjes së ndihmës humanitare në Gaza duke përmendur hapjen e pikëkalimit në veri dhe po ashtu hapjen e furrave të bukës në këtë pjesë të Gazës që përballet me situatë të rëndë humanitare. Por, OKB-ja po kërkon që Izraeli të bëjë më shumë.

Sipas autoriteteve ndërkombëtare që bëjnë vlerësime të krizave, uria është e pashmangshme në veri të Gazës, ku 70% e personave po përballen me uri katastrofike. Në një raport të publikuar së fundi u paralajmërua se një përshkallëzim i luftës mund të shtyjë gjysmën e popullsisë së Gazës prej 2.3 milion banorësh, buzë urisë.

OKB-ja kërkon 2.8 miliardë dollarë për pjesën e mbetur të vitit për Gazën dhe 10% të kësaj vlere për Bregun e pushtuar Perëndimor, i cili po ashtu është përballur me rritje të dhunës e të sulmeve të kolonëve.