Aktualitet Bota

OKB: Në vitin 2022 u vranë 89 mijë gra e vajza, shumica nga partnerë e familjarë!

Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se numri i grave dhe vajzave të vrara në mbarë botën në vitin 2022 është rritur në nivelin më të lartë në 20 vjet.

Rreth 89 000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht vitin e kaluar,-  raportoi organizata e OKB-së që mbulon çështjet e grave, “UN Women” dhe organizata përgjegjëse për drogën dhe krimin, UNODC.

Numri alarmant i femicideve është një kujtesë e fortë se njerëzimi është ende duke u përballur me pabarazitë e rrënjosura thellë dhe dhunën kundër grave dhe vajzave. Çdo jetë e humbur është një thirrje për veprim, një lutje për të adresuar urgjentisht pabarazitë strukturore, për të përmirësuar përgjigjet e drejtësisë penale, në mënyrë që asnjë grua apo vajzë të mos ketë frikë për jetën e saj për shkak të gjinisë së saj,-  tha drejtoresha ekzekutive e UNODC, Ghada Waly në një deklaratë.

Më shumë se gjysma e vrasjeve ku viktima janë gratë dhe vajzat, rreth 55%, janë kryer nga familjarë apo partnerë, krahasuar me rreth 12% që rezulton të jetë numri viktimave meshkuj nga vrasjet.

Sipas të dhënave të OKB-së, numri më i madh i vrasjeve të grave dhe vajzave gjatë 2022, rreth 20 000 është regjistruar në Afrikë, e ndjekur nga Azia.