Bota

OKB: Thuajse e sigurt përhapja e urisë në Rripin e Gazës, pa armëpushim!

Disa zyrtarë të OKB-së për çështjet humanitare paralajmëruan se ekziston rrezik i lartë i urisë së shkaktuar nga konflikti në Rripin e Gazës, nëse lufta nuk ndalet së shpejti. Ramesh Rajasingham, drejtor i divizionit të koordinimit në zyrën humanitare të OKB-së foli në një takim të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Algjeria, Guajana, Sllovenia e Zvicra, mes shqetësimeve në rritje se uria po përdoret si armë lufte.

Nëse asgjë nuk bëhet, ne kemi frikë se uria e përhapur në Gaza është pothuajse e pashmangshme dhe konflikti, në të cilin që nga tetori janë vrarë pothuajse 30 mijë njerëz dhe janë plagosur më shumë se 70 mijë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, do të sjellë më shumë viktima.

Sipas OKB-së, të paktën 576 mijë njerëz në Rripin e Gazës, 25% e popullsisë, janë një hap larg urisë dhe praktikisht e gjithë popullata po mbështetet në ndihmën e pamjaftueshme ushqimore humanitare për të mbijetuar. Edhe shefi i OKB-së për çështjet humanitare, Martin Griffiths, në një memorandum dërguar Këshillit të Sigurimit përmendi rrezikun e urisë të shkaktuar nga konflikti.

Nevojiten veprime të menjëhershme për të parandaluar urinë e shkaktuar nga konflikti dhe pasigurinë e përhapur ushqimore në Gaza. Bëj thirrje për një armëpushim dhe i kërkoj Këshillit të përdorë ndikimin e tij e të ndërmarrë veprime për të lehtësuar dërgimin e ndihmave drejt Gazës.

Izraeli mohoi akuzat se po pengon ose kufizon dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës.

Vetëm një armëpushim, i cili duhet të respektohet nga të gjitha palët në konflikt, mund të garantojë dërgimin e ndihmave humanitare pa ndërprerje, duke siguruar ndihmën e duhur dhe në kohë, tha ambasadori i Sllovenisë në OKB, Samuel Žbogar.

Madje, edhe Shtetet e Bashkuara, aleati më i madh i Izraelit shprehën pakënaqësinë me ritmin e ngadaltë të dërgimit të ndihmave, duke i bërë thirrje Izraelit që të mbajë të hapur të paktën një pikë kufitare për kalimin e ndihmave. Ambasadori Robert Wood:

Thjesht, Izraeli duhet të bëjë më shumë!

Izraeli e filloi fushatën e tij ushtarake për të shkatërruar Hamasin pasi militantët palestinezë të grupit radikal u futën në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar dhe vranë 1 mijë e 200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë. Rreth 250 të tjerë u morën peng.

Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian, ende mban rreth 130 pengje në Rripin e Gazës, duke përfshirë 30 që besohet të kenë gjetur vdekjen.