Aktualitet Rajoni

Opozita fajëson qeverinë për shkeljen e ligjit themeltar të shtetit në Kosovë!

Në ditën e Kushtetutës, opozita ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se për tre vjet të qeverisjes së Albin Kurtit më së shumti është dashur që Kushtetuta të mbrojtje nga ekzekutivi.

Lidhja Demokratike e Kosovës me aksion simbolik ka treguar për shkeljet e evidentuara gjatë kësaj periudhe.

“Në vend të urimit ne rinia e Kosovës jemi të detyruar të ia kujtojmë kësaj qeverie se e ka shkelur Kushtetutën shtatë herë”, tha DEK Paris Guri, i Forumit Rinor të LDK.

Precedenti i krijuar për shkelësit e Kushtetutës nga anëtarët e kabinetit qeveritar është shqetësues për rininë e LDK-së.

“Kushtetuta e shkelur prej ministrave të kësaj qeveri është shumë shqetësuese, pasi asnjë prej tyre deri më tani nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Guri.

Shkeljet më të mëdha të identifikuara nga opozita janë shkeljet në ligjin për këshillin prokurorial, ligjin për paga, ligjin për zyrtarë publik dhe të tjera që edhe janë dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës u miratua në Kuvendin e Republikës më 9 prill të vitit 2008 dhe u ratifikua më 15 qershor të po atij viti.