Rajoni

Osmani e Begaj takim në Prishtinë, vlerësojnë marrëdhëniet vëllazërore mes Kosovës e Shqipërisë!

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, i cili do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Në një konferencë për media pas takimit, Osmani falënderoi shtetin shqiptar për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se së bashku me liderët e tjerë të Shqipërisë do të sigurohet që Kosova ta ketë përkrahjen e vazhdueshme.

Ajo tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike dhe se për këtë do ta ndjekë shembullin e Shqipërisë.

Ajo shtoi se çdo sukses i Kosovës është edhe sukses i Shqipërisë si dhe anasjelltas. Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke vlerësuar raportet mes dy vendeve, tha se marrëdhëniet janë vëllazërore dhe se e kanë për detyrë për të qëndruar afër në çdo moment.

Në fjalën e tij, Begaj u zotua se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës në politikën e jashtme, duke përmendur njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kreu i shtetit shqiptar gjithashtu foli edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ai shpreson se votimi do të jetë në favor të Kosovës.