Aktualitet Bota

Pamjet satelitore: Izraeli po “çan Gazën në dysh deri në Mesdhe”!

Rruga që po ndërton ushtria izraelite në Gaza e ka ndarë në dysh territorin gjysmë të zbrazur nga konflikti, e tashmë sipas CNN, ka mbërritur në brigjet e Mesdheut.

Media e njohur amerikane publikoi pamjet satelitore, duke nënvizuar se kjo është pjesë e një plani sigurie për të kontrolluar territorin për muaj e ndoshta edhe për vite të tëra, bazuar në deklaratat e vetë zyrtarëve izraelitë.

Një foto nga hapësira e datës 6 mars tregon se rruga lindje-perëndim, në ndërtim e sipër për javë të tëra, tani shtrihet nga zona kufitare Gaza-Izraeli në të gjithë brezin afërsisht 6.5 kilometra të gjerë, duke ndarë Gazën veriore, përfshirë qytetin e Gazës, nga jugu i enklavës.

Rreth 2 kilometra përfshin një rrugë ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër është e re, nga sa tregon analiza e CNN-it. Forcat  izraelite të mbrojtjes, IDF, pohuan për të se rruga në fjalë po përdoret për krijimin e një baze “operacionale në zonë dhe për të lejuar kalimin e forcave si dhe të pajisjeve logjistike”. E pyetur lidhur me përfundimin e kësaj rruge, IDF-ja insistoi se ajo ka ekzistuar që para luftës dhe thjesht po rinovohet”, për shkak të automjeteve të blinduara që “e dëmtonin atë”.  Sipas mbrojtjes izraelite kjo “nuk ka fillim dhe mbarim”.

Fotot e vetëm një viti më parë megjithatë, nuk e tregojnë këtë gjë. Në fundin e muaji shkurt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu prezantoi në një mbledhje të kabinetit të tij të sigurisë një plan për një të ardhme post- Hamasit në Gaza, i cili përfshinte  “çmilitarizimin e plotë” të territorit dhe rishikimin e sigurisë, administratës civile dhe sistemit të arsimit. Palestinezët që jetojnë atje megjithatë druhen se planet e sigurisë së Izraelit të pasluftës do të kufizojnë më tej lirinë e tyre të lëvizjes, duke kujtuar ditët e pushtimit izraelit para vitit 2005, kur u vendosën postblloqe midis fshatrave fqinjë dhe u ndërtuan rrugë ekskluzive anashkaluese për të lidhur vendbanimet izraelite me njëri-tjetrin dhe me Izraelin.

“Korridori Netzarim” kryqëzon një nga dy rrugët kryesore veri-jug të Gazës, Rruga Salaheddin, për të krijuar një kryqëzim strategjik qendror. Duket gjithashtu se lidhet me rrugën Al Rashid, e cila kalon përgjatë bregdetit, tregojnë imazhet satelitore. Palestinezët i thanë CNN se ata kujtojnë se i ashtuquajturi “kryqëzimi i Netzarimit” ekzistonte para vitit 2005; në atë kohë, ajo ishte kryesisht e aksesueshme vetëm për kolonët izraelitë.

Ministri izraelit për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli i tha CNN se rruga e re do ta “bëjë më të lehtë” për ushtrinë izraelite nisjen e bastisjeve në veri të qytetit të Gazës dhe në jug, në zonën qendrore të Rripit të Gazës.