Rajoni

Parlamenti i Serbisë seancë për Kosovën, presidenti Vuçiç: Nuk guxoj të prezantoj të gjithë planin e BE-së!

Sot në seancën parlamentare kushtuar Kosovës, Aleksander Vuçiç iu tha deputetëve se “nuk synohet që përgjegjësia t’i kalojë këtij institucioni apo popullit”. Presidenti i Serbisë deklaroi:

Qëllimi është të dal para jush e qytetarëve, që në mënyrë të sinqertë e të hapur të ndaj me ju atë që na pret dhe të tregoj se me çfarë po përballemi.

Parlamenti po diskuton raportin e qeverisë mbi negociatat me Kosovën. Seanca plenare mbahet pasi presidenti i Serbisë pranoi propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën. Vuçiç u shpreh se nuk guxon që para Parlamentit të tregojë të gjithë planin europian, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

Më e rëndësishme është se plani përbën kornizën politike, momentin ku ndodh gjithçka.

Presidenti serb bëri të ditur se ekipit të diplomatëve europianë e amerikanë, me të cilët bisedoi në Beograd më 20 janar, i tha se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

Ka edhe gjëra të mira në plan, por nuk flas për to.

Propozimi i Bashkimit Europian, i njohur ndryshe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Plani nuk është bërë publik, por iu prezantua palëve.

Në atë dokument, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Lideri serb konfirmoi se është e saktë 90% e asaj që është bërë publike lidhur me përmbajtjen e planit.

Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht. Le të përmbahemi e të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve.

Më tej foli për sigurinë e serbëve në Kosovë e vuri në dukje se “Beogradi do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme. Prishtina kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Beogradi pretendon zgjidhje kompromisi, ndonëse pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.