Aktualitet Bota

Pas kërcënimit iranian, mbyllet ambasada izraelite në Romë!

Ambasada izraelite në Romë është mbyllur si masë paraprake pas lajmeve për hakmarrje të mundshme të Iranit.

Lajmi bëhet i ditur nga LaPresse e cila e ka mësuar prej burimeve të saj. Të njëjtat burime mësojnë se ky vendim ka qenë një vendim autonom i ambasadës izraelite në Romë.

Selia diplomatike ndodhet në via Michele Mercati pranë Vila Borghese. Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret për sulmin në konsullatën e Damaskut ku mbetën të vrarë disa zyrtarë.

Nërkohë kabineti i sigurisë së Izraelit ka miratuar rihapjen e pikëkalimit Erez mes Izraelit dhe Rripit verior të Gazës si dhe ka miratuar përdorimin e portit të Ashdod.

Shtetet e Bashkuara e kanë përshëndetur këtë vendim që erdhi pas bisedës telefonike mes presidentit Biden dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Biseda mes dy liderëve ishte e gjatë dhe e tensionuar, në të cilën presidenti amerikan e ka urdhëruar kryeministrin izraelit të ndryshojë menjëherë dhe rrënjësisht tonin e luftës në Gaza.

OKB e ka mirëpritur këtë lajm për të lejuar që më shumë ndihma të hyjnë në enklavën e rrethuar.

‘Ky është një lajm pozitiv, por sigurisht do të duhet të shohim se si do të zbatohet, ne kemi nevojë për një armëpushim humanitar dhe një fluks masiv ndihmash’, tha zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Stephane Dujarric.

Megjithatë, Izraeli e bën të qartë çdo armëpushim në Gaza do të kushtëzohet me lirimin e pengjeve.