Aktualitet Politikë

Pastrimi i politikës nga spiunët, brenda 10 ditëve dorëzohen propozimet e PS-së!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot se “brenda 10 ditësh Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend propozimin për ndryshime në ligjin për partitë politike, si dhe në Kodin Zgjedhor për të pamundësuar bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit që të jenë në politikë aktive”.

Në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha po ashtu se “në ditët në vijim do të kemi paketën e ‘despiunizimit’, në kuptimin e nevojës urgjente që ka politika shqiptare dhe institucionet e të tjera për t’u pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit”.

Sot në mbledhjen e grupit kemi diskutuar për 2 projektligjet që janë në proces. I pari, ligji për Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, ku nuk do të ketë më asnjë pengesë për t’u verifikuar edhe ata që janë verifikuar më parë nga komisionet e ngritura me ligj në vitin 1995, Bezhani-Mezini.

Çështja tjetër, sipas tij, “ka të bëjë me parashikimin në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, ku përpara proceseve zgjedhore të ketë një kohë jo më vonë se 70 ditë ku të gjithë kandidatët të bëjnë kërkesë te Autoriteti dhe të verifikohen”. Gjithashtu, Balla shtoi se vijon puna brenda grupit të punës në PS dhe për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me ligjin “Për dekriminalizimin”, ku parashikohet edhe çështja e bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, si dhe ligji për partitë politike.

Nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar. Por dy nismat e para janë depozituar në Kuvend, ndërsa dy të fundit besoj se maksimumi në 10 ditët e ardhshme do të jenë depozituar.