Bota

PE: Të hiqet veto në procesin e zgjerimit!

Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Përmes saj kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë heqjen e përdorimit të vetos për vendet anëtare. Po ashtu, rezoluta kërkon që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare. Dokumenti u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 votuan kundër dhe 71 abstenuan.

Aktualisht, për secilin vendim në fushat e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i Zgjerimit, Bashkimi Europian duhet që të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjithë të tjerët ishin në favor.

Kjo është rezoluta e fundit për procesin e Zgjerimit që miraton Parlamenti Europian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në muajin qershor. Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e Zgjerimit. Ndërkaq, me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

Parlamenti Europian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të Zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale e financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri.

Kjo thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Europian ditën e sotme. Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për Zgjerim të zhvillohen paralelisht si në Bashkimin Europian, ashtu edhe në vendet kandidate. Po ashtu, ata kërkojnë edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Europian e sundimit të ligjit.

Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Europian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Dokumenti propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar barazpeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

Parlamenti Europian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Europian dhe të Parlamentit Europian.

Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE.