Rajoni

Përmirësimi i lidhjeve Athinë-Ankara, Mitsotakis vizitë në Turqi!

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, sot viziton Turqinë për bisedime me presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Të dy udhëheqësit shpresojnë të ulin tensionet që i kanë sjellë disa herë vendet e tyre pranë konfliktit të armatosur në vitet e fundit. Ata do të përqëndrohen në fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Ukrainën.

Mosmarrëveshjet territoriale mbi detin Egje, i cili besohet se ka burime të mëdha nafte, e sollën Greqinë dhe Turqinë në prag të luftës e vazhdojnë të shkaktojnë tensione.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të vizitojë sot Ankaranë, për t’u takuar me presidentin Rexhep Tajip Erdogan e analistët thonë se bisedimet ka të ngjarë të shmangin tema të diskutueshme dhe të përqendrohen në fushat e bashkëpunimit. Berkay Mandiraci, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave:

Të dy vendet kanë diskutuar çështje si rritja e tregtisë, ndërtimi i një rruge të re në kufirin Turqi-Greqi apo udhëtimi pa viza për qytetarët turq në ishujt lindorë të Egjeut. Mendoj se të gjitha janë të rëndësishme për të rritur besimin mes palëve, të shtojnë kontaktet dhe të rrisin bashkëpunimin energjetik.

Vizita e kryeministrit Mitsotakis në Turqi pason vizitën e presidentit Erdogan në dhjetor në Athinë. Të dy duan t’i shfrytëzojnë këto zhvillime pozitive në disa fronte. Konfliktet në Gaza dhe Ukrainë shtojnë arsyet për përmirësimin e lidhjeve. Analistët thonë se të dy udhëheqësit e kuptojnë se tensionet mes tyre do ta përkeqësojnë situatën në rajon. Ioannis Grigoriadis, profesor në Universitetin Bilkent të Ankarasë:

Të dyja palët duan të zvogëlojnë ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve të huaja. Marrëdhëniet greko-turke kanë kaluar një periudhë shumë të vështirë tre deri në pesë vjet më parë. Por, që nga tërmetet që goditën Turqinë, të dyja palët treguan vullnet për të ulur tensionet.

Greqia reagoi me shpejtësi për të ndihmuar Turqinë pas tërmeteve të vitit të kaluar. Por, nëse të dy vendet nuk zgjidhin mosmarrëveshjet territoriale në Egje, përpjekjet për pajtim do të jenë të brishta, veçanërisht pasi të dy ushtritë po riarmatosen.

Presidenti Erdogan dhe kryeministri Mitsotakis fituan mandate të reja në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe analistët thonë se të dy janë në pozita të mira për të bërë përpjekje për t’u afruar.

Të dy udhëheqësit janë shumë të fortë brenda vendit dhe kjo i bën ata më pak të prirur për të dëgjuar zërat nacionalistë që ekzistojnë në të dy vendet. Ata do të fillojnë të ndërtojnë një marrëdhënie të kujdesshme para se të merren me çështjet më të diskutueshme që i kanë ndarë prej kohësh.