Bota

Përplasen në ajër dy avionë mbi aeroportin e Kenias!

Dy njerëz kanë vdekur pas një përplasjeje në ajër të dy avionëve në Kenia. Avioni më i madh që mbante 44 njerëz në bord fluturonte drejt rezortit turistik Diani kur u përplas papritur me avioni me një helikë Cessna 172, ku gjendeshin dy viktimat, duke kryer një mësim pilotimi.

Policia tha se pasagjerët e avionit Dash 8 kishin dëgjuar një zhurmë në pjesën e prapme prandaj kishin vendosur të ktheheshin në aeroport, kur dhe u përplasën me mjetin Cessna 172, që i përkiste shkollës së fluturimit 99 Flying School.

Policia tha se 39 pasagjerët dhe pesë anëtarët e ekuipazhit të mjetit Safarilink ishin evakuar pa lëndime.

Kreu i policisë së Nairobi, Adamson Bungei tha: “Një nxënës dhe një instruktor në avionin e shkollës së pilotimit kanë humbur jetën në incident.’

Bungei nuk dha më shumë detaje por besohet se të dy avionët ishin ngritur nga i njëjti aeroport dhe kthimi papritur i avionit të pasagjerëve ka shkaktuar aksidentin e rëndë.

Policia tha se vijon hetimet për ngjarjen teksa pamjet nga vendngjarja tregonin shkatërrimin e avionit të vogël që thuajse nuk njihej që ishte i tillë.

Një zëdhënës i grupit Safarilink Aviation nuk përmendte përplasjen në deklaratë: “Pas ngritjes sot në 9:45 u dëgjua një zhurmë e fortë në pjesën e prapme dhe ekuipazhi vendosi të kthehej në aeroportin Nairobi-Wilson për të inspektuar gjendjen, dhe u ul pa probleme. “

Ai shtoi se po bashkëpunojnë me autoritetet për incidentin.