Rajoni

Përplasja me RMV, Mitsotakis mesazh paralajmërues: Qeveria e Shkupit duhet të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për një emision grek në ERT, tre javë para zgjedhjeve europiane të 9 qershorit.

Kryeministri i dërgoi një mesazh paralajmërues qeverisë së re, për çështjen e Maqedonisë së Veriut.

“Dua t’i dërgoj edhe një herë një mesazh paralajmërues qeverisë së re: të ndryshojë linjën që tani e tutje, të respektojë këtë dispozitë qendrore të Marrëveshjes së Prespës, të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut brenda dhe jashtë vendit, kur i referohen fqinjit tonë verior”, tha Mitsotakis.

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev gjithashtu komentoi situatën, duke thënë se shpreson që politikanët në Maqedoninë e Veriut të kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar.

“Shpresoj që politikanët në Maqedoninë e Veriut ta kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar. Dhe nëse bisedat dhe sjellja e tyre destruktive shndërrohen në veprime reale, kjo do të thotë qe po e shtyjnë vendin e tyre drejt izolimit, duke e larguar atë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Kristian Mickoski ka folur sot me tone nacionaliste kundër Marrëveshjes së Prespës duke u shprehur se do ta quajë vendin që ai drejton si të dëshirojë pa shtesën “e Veriut”.

Ai tha se nëse Greqia ka një problem me mënyrën sesi ai e emërton vendin e tij, atëherë mund të shkojë në Gjykatën e Hagës. Ndër të tjera Mickoski u shpreh se nuk pret që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në çështje politike.

“Mendoj se ishte një deklaratë e denjë. Mund të them se prisja që fqinji ynë jugor të na uronte. Përkundrazi, për fat të keq, na treguan “krahët” e tyre politike. Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në çështje politike. Pres që të kemi marrëdhënie të mira, të shkëlqyera fqinjësore.

Nëse ata mendojnë se ne e kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, le të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ata mund të fillojnë një proces dhe aty do të shohim argumentet e njërës palë dhe tjetrës. Do të doja të shkoja atje”– tha Mickoski.

Mediat greke e kanë konsideruar këtë si deklaratë të Mickoskit si “hedhje në erë të Marrëveshjes së Prespës”.

Çështja e emërtimit të Maqedonisë së Veriut ka sjellë sërish debate mes dy vendeve, me Greqinë që u shpreh e shqetësuar me kryeministrin dhe presidenten e re të shtetit fqinj.