Aktualitet

Pjesë e grupit ‘Poter-Al’, sekuestrohen pasuritë miliona euro të trafikantit shqiptar!

Autoritetet italiane i kanë sekuestruar një vilë, katër makina luksoze dhe 600 mijë euro cash trafikantit shqiptar, Geront Dedja, 44-vjeç, që dyshohet se i kishte përfituar nga aktiviteti i tij kriminal.

Mediat e huaja raportojnë se 44-vjeçari, eksponent i krimit të organizuar shqiptar ishte i dënuar për trafikim ndërkombëtar droge dhe për emigracionin e paligjshëm të njerëzve.

Dekreti i sekuestrimit me qëllim konfiskimin e pasurive është nxjerrë nga seksioni i masave parandaluese të gjykatës së Torinos. Hetuesit e Seksionit Antikrim të Komisariatit të Torinos kryen masën mes Torinos dhe Venetos, duke sekuestruar një vilë në bashkinë Caselle Torinese, katër makina luksoze, një degë të tërë kompanie aktive në ndërtim, para cash dhe llogari rrjedhëse.

Në fillim të viteve 2000, pas një hetimi të skuadrës Turin Mobile të drejtuar nga Luigi Mitola, trafikanti shqiptar i drogës u arrestua me akuzën e aktivitetit kriminal që synonte të ndihmonte emigracionin klandestin.

Në vitin 2002 ai u dënua për atë krim dhe, midis 2003 dhe 2004, edhe për trafik ndërkombëtar droge, së bashku me bashkatdhetarët e tjerë. Tani gjykata ka urdhëruar sekuestrimin me qëllim të konfiskimit të pasurisë së tij.

Organizata kriminale në fjalë është drejtuar nga Ilir Koçiaj ndërsa krahu i tij i djathtë ka qenë Xhiliano Xhoxhi. Të dy këta persona kanë mundur që të ngrenë një rrjet të tërë të trafikut të narkotikëve në të paktën gjashtë shtete të ndryshme të botës.

Me rekrutimin e anëtarëve të organizatës janë marrë pikërisht dy krerët e saj, Koçiaj dhe Xhoxhi. Nga hetimi është zbuluar se në disa raste anëtarët e organizatës nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin. Njohja e tyre e përbashkët ishte kreu Ilir Koçiaj. Mes tyre ishte edhe Ervin Tavanxhi, nga Elbasani, djali i ish- deputetit, Vangjel Tavanxhi.

Kryesisht aktiviteti i organizatës është zhvilluar në Itali, ndërsa droga merrej në Holandë dhe më pas shpërndahej në Itali, Francë si dhe Gjermani. Në një rast është tentuar trafikimi edhe në Greqi. Më herët është raportuar se heroina vinte nga Turqia dhe përfundonte në Itali.

Prokuroria shqiptare ka mundur që t’i sekuestrojë kësaj organizate 73.000 euro, 29.000 dollarë amerikanë si dhe një milion lekë të reja. Hetimet e kryera në Itali për këtë organizatë kriminale kanë sjellë sekuestrimin e sasive të ndryshme të tyre të lëndëve narkotike, të cilat arrijnë në 22,240 kg kokainë dhe 20,032 kg heroinë për periudhën fillim i vitit 2003 deri në fillim të vitit 2004.

Një pjesë e grupit Poter-al ra në pranga më 23 maj të vitit 2006 në Shqipëri, vetëm pak ditë pas arrestimit të 40 personave në Itali.

Grupi kriminal “Poter-Al” përbëhej nga Ilir Koçiaj, nga Elbasani
, Geront Tola alias Geront Dedja, nga Librazhdi
Zamir Vadardha, nga Shijaku
Bledi Balliu, nga Fieri
Aleksandër Koliçi, alias Aleksandër Gremi, nga Fieri
Leonard Çobaj, nga Vlora
Ervin Tavanxhi, nga Elbasani
Xhiliano Xhoxhi
Malvin Toto
Bisera Pudiç, shtetase kroate si dhe
Gëzim Mekaj e Robert Peçi.