Bota

Presidenti bjellorus, Lukashenko në gjendje kritike/Dyshime se mund të jetë helmuar!

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko është në gjendje kritike për jetën, ka dyshime të forta se mund të jetë helmuar. Në Twitter, lajmin e pretendon politikani i opozitës, Valery Tsepkalo, kandidat për Presidencën, ish-ambasador në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëshort i Veronika Tsepkalos, e cila kandidoi kundër Lukashenkos në presidencialet e 2020-ës.

Lukashenko u dërgua me urgjencë në spitalin qendror të Moskës, Moscow’s Central Clinical Hospital, pas takimit të tij me dyer të mbyllura me homologun rus, Vladimir Putin. Aktualisht, vijon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore. Specialistët kryesorë u mobilizuan për t’u përballur me gjendjen e tij kritike shëndetësore.

Por, ndërsa disidentët thonë se u helmua e në gjendje kritike, shfaqet presidenti bjellorus. Lukashenko uron Ditën e Pavarësisë së Azerbajxhanit.

Lukashenko njihet si aleat i fortë i Putinit dhe i ka dhënë mbështetje për luftën në Ukrainë që vazhdon prej shkurtit të vitit të kaluar e sot hyri në ditën e 459-të.

Forcat ruse kanë shënjestruar kryeqytetin Kievin, me një valë të madhe të sulmeve ajrore mëngjesin e sotëm, referuar zyrtarëve ukrainas që këtë sulm e përshkruajnë si “më të madhin” me dronë ndaj këtij qyteti, që nga nisja e luftës së Moskës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Sulmet ajrore vijnë në kohën kur shënohet Dita e Kievit, apo 1.541-vjetori i themelimit të qytetit, kremtime që përkojnë me të dielën e fundit të muajit maj. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar të paktën 40 dronë, ndërsa bëhet e ditur se rrëzimi i tyre ka vrarë të paktën një person dhe plagosur dy të tjerë.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, deklaroi se Rusia ka përdorur dronët e prodhimit iranian, Shahed për të kryer sulmet në Kiev, që është dhe qyteti më i populluar në Ukrainë me rreth 3 milion banorë.

Pjesët e dronëve të shkatërruar nga mbrojtja ajrore ukrainase ranë mbi një depo trekatëshe, duke shkaktuar zjarr dhe u shkatërruan mbi 1 mijë metër katrorë të kësaj ndërtese, siç tha kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.