Bota

Presidenti gjerman pritet me protesta në Stamboll prej qëndrimit ndaj luftës në Gaza !

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili mbërriti sot në Stamboll për një vizitë tre-ditore në Turqi, u prit nga protestues pro-Palestinë që dënonin mbështetjen e vendit të tij ndaj Izraelit që ka pushtuar Gazën, raportonin sot mediat turke e gjermane.

Dhjetra protestues brohorisnin slogane si “Gjermania vrasëse” dhe “Mbështetëse e gjenocidit” në gjuhën turke e gjermane, teksa Steinmeier, së bashku me kryebashkiakun e Stambolit Ekrem İmamoğlu, vizitonin stacionin historik hekurudhor Sirkeci, nga ku niseshin dikur punonjësit turkë drejt Gjermanisë në vitet 1960, të cilët krijuan komunitetin e sotem turk atje.

Një nga protestuesit mbante një foto Steinmeier pranë atyre të Adolf Hitler dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ku shkruhej, “Asnjë ndryshim!”

Forca të sigurisë ndërhynë duke shkaktuar përleshje me protestuesit që zgjatën vetëm disa minuta. Megjithë protestën e shkurtër Steinmeier dhe İmamoğlu vijuan vizitën e tyre, teksa mediat thonin se pati disa të arrestuar.

Mbështetja e Gjermanisë për Izraelin dhe sulmet e tij në Palestinë është pritur me zemërim nga komuniteti turk në Gjermani dhe Turqi.

Kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan vizitoi Berlinin në nëntor, ia sugjeroi se mbështetja e Gjermanisë për Izraelin ishte një farë ndjenje faji për luftën e Dytë Botërore, teksa shtonte se Turqia mund të fliste e lirë dhe e paanshëm për çështjen.

“Konflikti Izrael-Palestinë nuk duhet vlerësuar nga psikologjia e detyrimit të borxhit. Unë mund të flas lirshëm pasi nuk i detyrohem asgjë Izraelit”, kishte thënë Erdogan para kancelarit Olaf Scholz.