Bota

Presidenti rus Putin bën thirrje për marrjen e masave për rublën!

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin bëri thirrje për zbatim të masave të menjëhershme për të mbështetur rublën, valutën e dobësuar ruse ndërsa vendi po përballet me një rritje të inflacionit. Sa i përket zhvlerësimit të valutës, Putin ka thënë se “është e nevojshme që të kuptohet qartë se çfarë po e shkakton atë, si dhe të merren vendimet e duhura, pa asnjë vonesë”. Lideri rus i ka bërë këto komente në një takim qeveritar për buxhetin shtetëror, referuar raportimit të agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

Rritja e shkallës së interesit është një prej mënyrave për forcim të valutës së një vendi edhe për ulje të ritmit të inflacionit. Banka Qendrore e Rusisë vetëm sa e ka rritur normën e interesit në 13%.

Shefi i Kremlinit ka vënë në dukje se beson në politikat ekonomike të Rusisë.

Unë jam i sigurt që Banka Qendore po punon me profesionalizëm dhe ajo që është e rëndësishme, në mënyrë të koordinuar.

Ministria e Ekonomisë në Moskë bëri të ditur se këtë vit, parashikimet për inflacionin shkojnë në 7.5%. Sipas ekspertëve, Zyra ruse e Statistikave e ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së të dhënave më 2023-shin, në krahasim me vitin e kaluar, në mënyrë që shifrat përfundimtare të jenë më të vogla.

Pavarësisht rritjes së inflacionit, Putini ka thënë se është i kënaqur me gjendjen e ekonomisë. Presidenti u shpreh:

Ne i kemi mbijetuar një presioni të pashembullt prej jashtë, presion me sanksione nga disa elita në bllokun e ashtuquajtur perëndimor.

Sanksionet e Perëndimit janë rezultat i nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe luftimet vijojnë prej më shumë se një viti e gjysmë.

Si pasojë e saj kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.